Durmishi: Çdo punëtor meriton kushte të sigurta dhe dinjitoze, siguria në punë është prioriteti ynë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, me rastin e shënimit të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, theksoi përkushtimin e Ministrisë për krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të shëndetshme për të gjithë punëtorët.

Në fjalimin e tij para përfaqësuesve të sindikatave, punëdhënësve dhe partnerëve socialë, ministri Durmishi theksoi se siguria dhe shëndeti në punë nuk janë vetëm detyrime ligjore, por të drejta themelore të çdo punëtori.

“Qëllimi ynë është i qartë – secili punëtor të ketë mjedis të sigurt pune, të jetë i mbrojtur nga rreziqet dhe pas përfundimit të ditës së punës të kthehet në shtëpi shëndosh dhe i sigurt”, theksoi Durmishi.

Ministri potencoi se një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës mbetet përmirësimi i kornizës ligjore, forcimi i masave parandaluese dhe përshtatja me sfidat e reja që sjellin digjitalizimi dhe zhvillimi teknologjik.

Sipas Durmishit, investimi në sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve nuk duhet të shihet si shpenzim, por si investim afatgjatë në zhvillimin e kompanive dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Në kuadër të ngjarjes, ministri Durmishi përgëzoi edhe kompanitë e vlerësuara me Çmimin Kombëtar për sistemin më të mirë të zbatuar të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke i cilësuar praktikat e tyre si shembull për bizneset e tjera.

“Zhvillimi ekonomik ka vlerë të vërtetë vetëm kur shoqërohet me mbrojtjen e shëndetit, sigurisë dhe dinjitetit të punëtorëve”, ishte mesazhi përmbyllës i ministrit Durmishi.

Burimi:zyrtare.net