Dalloni lajmet e rreme, luani dhe mësoni: Europe House i fton të rinjtë ta provojnë “Escape Fake”

A mund ta dalloni çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme në internet? “Escape Fake”, një lojë interaktive me realitet të shtuar, përmes së cilës të rinjtë mësojnë të identifikojnë lajmet e rreme, fotografitë e manipuluara dhe dezinformatat, tani është në dispozicion edhe në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Loja është falas, mund të luhet në telefona celularë dhe tabletë, ndërsa përveç këtyre dy gjuhëve, është e disponueshme edhe në tetë gjuhë të tjera evropiane.

Në një kohë kur dezinformatat dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar, Europe House i fton të rinjtë t’i testojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik përmes lojës. Në vend të ligjëratave tradicionale, “Escape Fake” ofron një përvojë interaktive, ku lojtarët hulumtojnë informacione të dyshimta, zgjidhin enigma dhe zbulojnë se si përmbajtjet digjitale mund të manipulohen për të ndikuar në qëndrimet dhe vendimet tona.

Në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik 2026, nga 26 deri më 30 tetor, Europe House organizon punëtori interaktive për nxënësit e shkollave të mesme, ku ata kanë mundësi ta provojnë lojën dhe përmes shembujve praktikë të mësojnë se si t’i identifikojnë dezinformatat.

E zhvilluar në Bashkimin Evropian me mbështetjen e programit “Evropa Kreative”, “Escape Fake” i udhëheq lojtarët në një udhëtim interaktiv në botën e dezinformatave. Me ndihmën e Hanës, një hakere etike dhe historiane, lojtarët eksplorojnë dy misione. Në “Muzeun e Dezinformatave”, ata zbulojnë falsifikime historike, fotografi të manipuluara dhe përmbajtje “deepfake”, ndërsa në “Situata në Autobus” hetojnë një histori të rreme që është përhapur në internet, verifikojnë burimet dhe mësojnë të identifikojnë mashtrimet përmes metodës “phishing”, profilet e dyshimta në internet dhe manipulimet digjitale.

Në kuadër të punëtorive, nxënësit marrin pjesë edhe në diskutime dhe ushtrime praktike, përmes të cilave e lidhin përvojën nga loja me situatat e përditshme në rrjetet sociale. Qëllimi është që të rinjtë të inkurajohen t’i vënë në dyshim informacionet që shohin në internet, t’i verifikojnë burimet përpara se të shpërndajnë përmbajtje dhe të zhvillojnë aftësi për të marrë vendime të informuara në botën digjitale.

Përmes kësaj nisme, Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian synojnë të tregojnë se edukimi mediatik mund të jetë interesant, interaktiv dhe i qasshëm për të gjithë. Identifikimi i dezinformatave nuk është vetëm një aftësi e dobishme, por edhe një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes së përgjegjshme në botën digjitale.

A jeni gati t’i zbuloni lajmet e rreme? Europe House i fton të rinjtë, nxënësit dhe të gjithë të interesuarit ta provojnë “Escape Fake”, t’i testojnë njohuritë e tyre dhe përmes lojës të zbulojnë se si të mbrohen nga dezinformatat dhe manipulimet në internet.

“Escape Fake” është falas dhe e disponueshme për të gjithë të interesuarit. Shkarkoni aplikacionin dhe filloni të luani. Të gjitha informacionet e nevojshme janë në dispozicion në https://europehouse.mk/.

Burimi:TV21