GazetaMax
Lajme

Durmishi: Tetovarët i dhanë besën Kasamit për katër vite të tjera zhvillimi

Pas fitores bindëse të Bilall Kasamit në zgjedhjet lokale në Tetovë, shefi i shtabit lokal dhe njëherësh ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka reaguar me një mesazh falënderues drejtuar qytetarëve të Tetovës.

Në reagimin e tij, Durmishi theksoi se “Tetovarët u ngritën në këmbë dhe i dhanë besën Bilall Kasamit për ta udhëhequr edhe katër vite të tjera”, duke nënvizuar se kjo fitore është rezultat i besimit në punë, ndershmëri dhe vizion.

“Me këtë fitore bindëse, qytetarët dëshmuan se besimi në punë, ndershmëri dhe vizion nuk është as fat, as rastësi – është zgjedhje. Ju zgjodhët ta mbani gjallë frymën e ndryshimit që nisi nga njerëzit e zakonshëm, frymën që sot bashkon dhe e bën Tetovën krenare,” – tha Durmishi.

Ai falënderoi çdo qytetar që kontribuoi në këtë fitore, duke theksuar se angazhimi i ekipit dhe mbështetja e qytetarëve do të shpërblehen me punë dhe përkushtim.

“Faleminderit për çdo votë, për çdo dorë që u ngrit për ta mbrojtur dinjitetin tonë. Faleminderit për çdo fjalë, çdo hap dhe çdo sakrificë që e bëri këtë fitore të mundur! Ne nuk do t’ju zhgënjejmë – do të punojmë me përulësi, me dije dhe me ndershmëri,” – shtoi ai.

Në përfundim të deklaratës, ministri i Ekonomisë dhe shefi i shtabit lokal në Tetovë, Besar Durmishi, u shpreh mirënjohës:

“Faleminderit, Tetovë!”

Fitorja e Kasamit në Tetovë konsiderohet si konfirmim i mbështetjes së fortë që ai dhe ekipi i tij gëzojnë në mesin e qytetarëve, të cilët e shohin si vazhdim të rrugës së ndryshimit dhe transparencës në qeverisjen lokale.