Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e djeshme që tronditi qytetin e Mynihut të Gjermanisë, ku një grua me origjinë nga Kosova u plagos rëndë me thikë nga bashkëshorti i saj, gjithashtu kosovar, në prani të djalit të tyre shtatë-vjeçar.
Siç raporton medium gjerman ‘Bild’ S.K. (33 vjeç), e goditi bashkëshorten e tij, S. K. (31 vjeçe), mbi pesë herë me thikë, përcjell Insajderi.
S.K. pas sulmit nuk u largua nga vendi i ngjarjes, por qëndroi aty dhe fliste në telefon, teksa gruaja e tij ishte në gjendje kritike, përshkruan situatën medium gjerman.
Çifti ka qenë prej vitesh në raporte delikate dhe kanë së bashku dy fëmijë: Një vajzë 4 vjeçe dhe një djalë 7 vjeç.
Bildi thotë se i dyshuari ka precedent penal dhe se është dënuar me 300 ditë gjobë për dëmtim trupor dhe shkelje të urdhrit të mbrojtjes ndaj gruas së tij.
Më 17 janar të këtij viti, BILD thotë se i dyshuari goditi Sabrinën dhe e tërhoqi për flokësh, duke ia lënë buzën e poshtme të ënjtur dhe të gjakosur, si dhe duke i shkaktuar gërvishtje në fytyrë.
Atij nuk iu lejua të kontaktonte gruan e tij. Nuk u lejua t’i afrohej banesës më shumë se 100 metra. Ai e kishte shkelur këtë rregull katër herë.
Në kohën e drekës, Samson K. me sa duket donte të merrte vajzën e tij nga kopshti\. Institucioni nuk e ka lënë të lirë 4-vjeçaren, ka informuar nënën, e cila ka shkuar menjëherë në çerdhe dhe ka marrë fëmijën e saj. Sabrina K. mori vajzën e saj në shtëpinë e një shoqeje dhe më pas mori djalin e saj nga shkolla 150 metra larg.
Kur ajo ishte pothuajse te dera kryesore me 7-vjeçarin, burri i saj i kishte zënë pritë. Thuhet se Samson K. e ka goditur gruan me një thikë të vogël, përpara djalit të tyre.
Sabrina u rrëzua përtokë, e plagosur rëndë dhe burri i saj mbeti aty derisa u arrestua. Thuhet se ai u tha dëshmitarëve: “Nuk e keni idenë se çfarë më bëri ajo mua”.