Rastet e këtilla të parkimit apo bllokimit të vendit për autobusin janë gjithnjë e më të shpeshta, sikurse ky që po shihni tani. Ndërkohë që nga SPB e Tetovës, thonë se dënimet nuk mungojnë, po dënohen gjithnjë e më shumë vozitës të pandërgjegjshëm që bllokojnë pikat për ndalesë të autobusit, megjithatë, në Tetovë, ky fenomen vazhdon të përsëritet gjithnjë e më shumë në shumicën e stacioneve për ndalesë të autobusit.
“Po ja na ve në rrezik ja shiheni, ka vozitës të pandërgjegjshëm por çka të bëj, s’është puna ime të merrem me ta, unë duhet diku të ndaloj ti zbres udhëtarët. Gati se në secilin stacion kështu është. Na pengon shumë na pengon por mundohemi të jemi të paktën në kohë me aq sa mundemi”, tha Predrag Mojsovski. Vozitës autobusi.
Drejtori i Ndërmarrjes për Transport Izer Kirmizi thotë se pengesat më të mëdha i bëjnë personat të cilët i parkojnë veturat në vende të ndaluara duke bllokuar madje edhe rrugën.
“Ne si ndërmarrje i kemi vënë shenjat që tregojnë se cila pjesë e rrugës është e dedikuar për ndalim të autobusëve, por realiteti është se nuk respektohet aspak kjo gjë dhe krijon pengesa në trafik, mundësi të rrezikut për zbarkim dhe ngarkim të autobusëve që detyrohen të ndalen në mes të rrugës dhe të krijojnë shtesë trafik por edhe të rrezikojnë qytetarët që duhet të zbresin në rrugë, në vend të zbresin në vendin e duhur”, tha Izer Kirmizi. Drejtor i Tetova Transport.
Në SPB-në e Tetovës thonë se për nëntë muaj kanë shqiptuar afër 4 mijë gjoba ndërsa shërbimi i merimangës ka larguar rreth 3 mijë vetura
“Janë shqiptuar3356 gjoba ndaj vozitësve që parkojnë makinat e tyre vend e pa vend. Gjithashtu, me anë të shërbimit komunal të merimangës janë ngritur rreth 2912 automjete që kanë penguar në mënyrë dieke qarkullimin e trafikut në Tetovë, dhe një numër i madh i tyre kanë qenë të parkuar në vend ndalesat e autobusëve dhe kanë penguar ndalim ,marrjen apo zbritjen e udhëtarëve që shfrytëzojnë transportin publik”, shtoi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Nga sektori i urbanizmit i Komunës së Tetovës thonë se me planin e ri të mobilitetit, planifikohet zgjidhja e këtij problemi, përmes krijimit të korsisë së veçantë për autobusët në rrugën e Ilindenit dhe bulevardin Iliria./Alsat.mk