GazetaMax
Lajme

EDITORIAL/ Maqedonia e Veriut në prag të rezultateve, a do ta kalojë provimin para Komisionit Evropian!?

EDITORIAL NGA AGJENCIA E LAJMEVE ZHURNAL

Shkup, 4 tetor – Maqedonia e Veriut pret së shpejti të marrë notat nga Komisioni Evropian nëse i ka bërë detyrat siç duhet. Në të kaluarën gjithmonë Shkupi zyrtar ka marrë nota pozitive me rekomandime të vogla për ndryshime. Edhe kësaj radhe pritet një vlerësim pozitiv për progresin e arritur në implementimin e ligjeve në drejtim të integrimit në BE, por e veçanta sivjet është se tani Maqedonia e Veriut ka filluar negociatat me BE-në dhe kjo nënkupton se duhen reforma thelbësore. Më e rëndësishmja se ndryshimi i ligjeve është ndryshimi i mentalitetit, mënyrës së funksionimit dhe komplet sistemit. Me menatlitet ballkanas është e vështirë të jesh pjesë eBE-së, prandaj qeveria rrënjësisht duhet t’i nxjerrë jashtë sistemit të korruptuarit, hajdutët, kriminelët… e të sjell gjak të ri me ide të reja, që synojnë zhvillimin sikur në BE.

Presim raport pozitiv

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq ka bërë të ditur se javën e ardhshme pret nga Komisioni Evropian progres poizitv për punën e deritanishme, i cili do të jetë udhërrëfyesi për reformat dhe aktivitetet e ardhshme.

Gjithashtu nga data 7 nëntor, me fillimin e takimeve dypalëshe, do të ketë një ndarje me ekipin negociator të Shqipërisë dhe se të dy vendet do të vazhdojmë veçmas skriningun bilateral ,me BE-në.

Qeveria duhet që gjatë ditëve në vijim të definojë strukturën negociuese dhe aktualisht po diskutohet për pozitat e juristit, kryeekonomistit dhe shefit kundër korrupsionit.

Fokusi i shqyrtimit në negociata do të jetë sundimi i ligjit, reforma e administratës publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike në vend, për të cilat priten udhërrëfyes për të tre fushat deri në mars të vitit të ardhshëm. Dy të parat janë të detyrueshme dhe pa to nuk mund të hapet Klasteri, ndërsa udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike është vullnetar.

A i kemi bërë të gjitha detyrat!

Maqedonia e Veriut e ka një përparësi sepse gjatë viteve të humbura me zgjidhjen e çështjes së emrit, ka ndryshuar shumicën e legjislacionit dhe konsiderohet se rreth 40 për qind e ligjeve në Maqedoninë e Veriut janë në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Lidhur me shqyrtimin dhe shkallën e përputhshmërisë së legjislacionit vendas me atë evropian është qartë e thënë se edhe nëse ka pasur progres, detyra kryesore që ende nuk është plotësuar është kushti për ndryshime kushtetuese. Kjo nënkupton se bullgarët, kroatët, malazezët, çifutët dhe etni tjera, duhet të futen si kategori kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Por ky zotim që doli nga Propozimi francez i kornizës së negociatave, i detyruar nga vetoja bullgare për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, është shkaku aktual i turbulencave politike dhe përçarjeve në shoqërinë, sidomos atë maqedonase. Prandaj ky zotim dhe kjo detyrë shtëpie duhet të bëhet sa më shpejtë, me qëllim që rruga për integrim mos të pengohet.

Vërejtje tjetër serioze në Raportin e progresit mund të jenë edhe skandalet në sferën e gjyqësorit, sidomos pas akuzave dhe kundërakuzave midis prokurorëve publik me rastet e fundit si dhe procesuimi i duhur i lëndëve ndaj ish-funksionarëve në qeverinë Gruevski, por edhe në qeverinë Zaev.

Negociatat janë transformim i shoqërisë

Çfarë në të vërtetë nënkuptojnë negociatat dhe pse janë kaq të rëndësishme dhe marrin aq shumë kohë! E thënë shkurt e troç, negociatat duhet të kuptohen si transformim i tërësishëm i shoqërisë, që sjell përfitime për të gjithë.
Kjo do të thotë se nga një sistem i funskionimit paushall tipik ballkanik, të kemi një sistem me vlera evropiane ku respektohet ligji dhe sundon drejtësia. Çdo vështirësi gjatë negociatave do të shpërblehet kur të anëtarësohemi në BE, sepse ekipi negociator i BE-së nuk do të lejojë asgjë të shkojë sa për sy e faqe. Brukseli zyrtar do të kërkojë deri në detajin e fundit të rregullohen gjërat në Maqedoninë e Veriut dhe pastaj të merret data jeshile për anëtarësim.
Politikanët të mendojnë e veprojnë si evropian!

Në një mjedis me turbulenca të theksuara politike dhe kontradikta sociale që krijojnë përçarje siç është Maqedonia e Veriut, do të ketë shumë vështirësi në rrugën e integrimeve. Qëndrimet e ndryshme politike ndaj procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE krijojnë huti e paqartësi, prandaj nevojitet harmonizim nga të gjitha partitë kryesore politike.Gjithçka që vjen nga BE-ja duhet të ketë vëmendjen kryesore dhe mos të shkaktojmë vonesa, sepse humbin vetëm qyetarët dhe shteti, askush tjetër.

Zbatimi i reformave duhet të ndryshojë në mënyrën e të menduarit te partitë politike. Duhet të ndryshojë paradoksi i përsëritur rregullisht – partia që vjen në pushtet zakonisht bën gjërat që kritikoi kur ishte në opozitë dhe çdoherë mundohet të bllokojë, pa pasur mjaftueshëm arsye për një veprim të tillë.

Prandaj, duhet që politikanët të ndryshojnë mentalitetin dhe mënyrën e qeverisjes ekjo bëhet vetëm duke respektuar ligjin dhe duke parë interesin shtetëror, interesin dhe ardhmërinë e rinisë.
Nuk mjafton vetëm që të ndryshohen ligjet, por bashkë me ligjet evropiane duhet të mendojmë, veprojmë etë kemi vlera si evropian. Nuk mund të themi se jemi duke hyrë në BE por të zhvatim shtetin tonë, të vjedhim nga çdo gjë që është e mundur, të vjedhim ardhmërinë e fëmijëve tanë.

Prandaj, për të ndryshuar mentalitetin dhe mënyrën e qeverisjes duhet vetëm respektimi dhe zbatimi i ligjeve. Dhe ligjet duhet të vlejnë njësoj për të gjithë, pa rrethana lehtësuese dhe privilegje për të privilegjuarit politik dhe partiak. Dëshpërimi lind atëherë kur një qytetar e shef se një politikan ose një pjesëtar i partisë nuk ndëshkohet për veprimet e tij, ndërsa ain qytetar që vepron me drejtësi, nuk arrin ta gëzojë atë që i takon. Prandaj, nga një qytetar i ndershëm, krijojmë që qytetar mashtrues, sepse ai do të funksionojë me logjikën, “nëse nuk ndëshkohet pse vjedh filani, edhe unë po vazhdoj ashtu si ai”!

Maqedonisë së Veriut i duhet çrrënjosje e korrupsion dhe ndryshim i mendërisë për konceptimin e shtetit, në të kundërtën sërish do të mbetemi duke e parë shtetin si mundësia për pasurim, zhvatje e mashtrim./Zhurnal.mk

Related posts

Gjermania hap tregun e punës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, nga viti 2023 lehtësime

Gazetamax.mk

Kovaçevski – Dendias: Jemi të fokusuar në përforcimin e partneritetit strategjik

Gazetamax.mk

Tryezë e rrumbullakët “Parandalimi dhe monitorimi i korrupsionit në gjyqësor”

Gazetamax.mk