GazetaMax
Lajme

EDITORIAL / “Vaj halli për qytetarët gjatë këtij dimri” Nuredini: Ngrohuni me rrymë, ndërsa ministria e Ekonomisë me apel që të kursehet rryma elektrike!

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 22 shtator – Çdo ditë e më shumë që po afrohet dimri, qeveria duket se po e humb busullën se si të ballafaqohet me sfidat që e presin. Përderisa nga njëra anë kryeministri dhe ministri i ekonomisë bëjnë apel që të kursehet rryma elektrike, ministri i ambientit nga ana tjetër deklaron se qytetarët është më mirë që të ngrohen me rrymë sepse është më lirë dhe nuk duhet të përdorin çdo lëndë djegëse gjë që të ngrohen, sepse kështu do të dëmtohet ambienti. Çudi! Vaj halli për qytetarët gjatë këtij dimri!

Nuredini: Më lirë të ngrohemi me rrymë!

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini apeloi tek qytetarët që të mos përdorin materiale të dëmshme ngrohëse për të shmangur ndotjen e ajrit gjatë sezonit të ngrohjes.

“Kjo nuk do të thotë që të gjithë duhet të ngrohemi me gjithçka që është e mundur, kërkojmë nga të gjithë qytetarët që të jenë më efikas në ruajtjen e energjisë. Është më e lirë të ngrohesh me energji elektrike se me peleta ose diçka tjetër. Por, nëse përdorim lëndë tjera djegëse për ngrohje, duhet të kujdesemi për cilësinë e saj dhe jo të djegim gjithçka që është e mundur. Mendoj se jemi të vetëdijshëm dhe do të kujdesemi për mjedisin tonë. Nëse ngrohemi me gjithçka që është e mundur do të thotë se do t’i ndotim fëmijët dhe familjet tona”, tha Nuredini.

Sivjet do ketë ndotje si asnjëherë më parë

Këtë dimër, përveçse problemeve ekonomike, qytetarët do të përballen edhe me sfida mjedisore. Do të kemi shumë ndotje si për shkak të grimcave PM, ashtu edhe emetimeve të gazeve serrë nga të gjitha termocentralet, të cilat do të përdorin qymyr dhe naftë dhe nuk do të ndalen për të siguruar energji elektrike.

Ndotja e ajrit pritet të jetë në nivel të lartë, përveç kësaj për shkak të krizës ekonomike, supozimet janë se, veçanërisht kategoritë e cenueshme, do të kalojnë në djegien e çdo gjëje dhe gjithçkaje.

Edhe pse nga ministria e ambientit sigurojnë se të gjitha instalimet në vendin tonë kanë licencë A të integruar, por edhe se do të kryejnë kontrolle më të shpeshta për të parë nëse respektohen standardet, sërish pritet që shteti të “mbyll njërin sy” në ndotjen e ajrit, e të lejojë qytetarët që të kenë mjaftueshëm energji.

S’ka rrymë të mjaftueshme, nëse të gjithë ngrohen me rrymë!

Prodhimi i energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut ra nga 6,744 GWh në 2010 në 5,284 GWh në vitin 2021, kryesisht për shkak të rënies së prodhimit nga ndërmarrja elektrike ESM, nga 6,476 GWh në 3,274 GWh.

Kjo ishte për shkak të ndërprerjeve ose reduktimit të prodhimit në termocentralet e Manastirit dhe Osllomejit, të shkaktuara nga thëngjilli me cilësi të dobët, sasitë e pamjaftueshme të qymyrit vendas, vjetërsisë së dy termocentraleve dhe investimet e pamjaftueshme.

Nga ana tjetër, prodhimi në hidrocentralet ndryshonte në varësi të kushteve hidrologjike, duke lëvizur midis 2,185 GWh në 2021 dhe vetëm 816 GWh në 2017.

Maqedonia e Veriut energjinë e saj e mbështetet kryesisht në lëndët djegëse fosile (linjit dhe gaz me cilësi të ulët) dhe hidrocentrale, ndërsa është shumë e varur edhe nga importet e energjisë elektrike. Prodhimi i përgjithshëm vjetor i energjisë elektrike në vitin 2020 ishte 5,347 GWh, ndërsa 2,326 GWh të tjera u importuan për të plotësuar kërkesën totale të brendshme për energji elektrike që është afër 8 GWh.

Prodhimi vendor i energjisë elektrike ka qenë i qëndrueshëm në 5 vitet e fundit dhe importet kanë qëndruar në rreth 30 për qind të konsumit të përgjithshëm. Kjo përqindje nuk përfshin importin e gazit natyror për transformimin e energjisë.

Në janar 2020, qeveria miratoi Strategjinë e re të Zhvillimit të Energjisë 2020-2040, e cila përpunon tre skenarë të ndryshëm: skenarët referencë (biznesi si zakonisht), tranzicioni i moderuar dhe energji e gjelbër (dekarbonizimi i fortë). Skenarët e tranzicionit të moderuar dhe ato të gjelbra parashikojnë heqjen e qymyrit në vitin 2025, gjë që e bën atë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që parashtron opsione konkrete për heqjen e qymyrit para vitit 2030. Por tani kur kriza u thellua, qeveria vendosi sërish t’i aktivvizojë termocentralet.

Gazi natyror importohej nga Rusia përmes një pike të vetme hyrëse në kufirin bullgar. Gazi konsumohet kryesisht nga konsumatorët industrialë dhe tre termocentralet, ndërsa konsumi familjar ka një peshë pothuajse të papërfillshme për shkak të përhapjes shumë të kufizuar të rrjeteve të shpërndarjes.

Maqedonia e Veriut ka një park me erë 36.8 MË në Bogdanci ndërsa janë edhe dy ferma të tjera me erë që duhet të ndërtohen në 5 vitet e ardhshme pasi tashmë kanë kryer pjesën më të madhe të procesit të lejeve, të cilat duhet të sjellin kapacitetin total të instaluar të erës në rreth 86 MË.

Prodhimi i rrymës me energji diellore ka qenë në stanjacion për 5 vitet e fundit pasi prodhimi vjetor mbetet i njëjtë në rreth 23 GWh.

Qeveria gjithë ngrohjen e fokusoi të rryma, tani kriza kthehet bumerang

Pushteti qendror në vitet e kaluara ndërmori disa masa dhe u përpoq që të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit duke i drejtuar të gjithë qytetarët që të ngrohen me energji të pastër, e në këtë rast me rrymë elektrike, me vendosjen e sistemeve për ngrohje me diell etj.

Qeveria ka dhënë më parë subvencione për klima inverter dhe ka miratuar Ligj për Ajrin e Ambientit që thotë se komunat së bashku me pushtetin qendror duhet të marrin masa nëse ka ndotje të madhe në ato komuna.

Qeveria deri tani ka ndryshuar formën e ngrohjes së institucioneve shtetërore, spitaleve, kopshteve, ambienteve të policisë etj. Kjo sigurisht se është e mirë në pastrimin e ajrit, por do të duhej të kishte më pak se alternativë për zgjidhje.

Biles, nëpër qytete qeveria nuk ka lejuar edhe objektet e mëdha banesore që të kenë oxhaqe, ku në rast të krizave, qytetarët do të ngroheshin me dru ose peleti. Tani nëpër banesat e reja qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se të ngrohen me rrymë. Rryma aktualisht është bërë shumë e shtrenjtë, por më e keqja është se çfarë do të ndodhë nëse ka ndërprerje të rrymës! Kjo do t’i bëjë që ata qytetarë që jetojnë nëpër banesa të ngrijnë nga i ftohti!

Qeveria gaboi shumë kur në emër të ruajtjes së ambientit zbatoi masa të shpejta, pa siguruar alternativa. Nëse nuk i lejon qytetarët që të ngrohen me dru, atëherë duhet të ketë zgjidhje, me rrymë dhe me gaz. Nëse qytetarëve ua merr sobat dhe u jep klima, atëherë duhet t’i sigurosh se ai do të ketë rrymë të mjaftueshme gjithmonë. Prandaj, ky shpejtim i reformave nuk ishte mjaftueshëm mirë i menduar, sepse tani po i lë qytetarët në mëshirë të fatit.

Related posts

Pendarovski – Lipavski: Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Pragës miqësore dhe me dialog intensiv politik në nivel të lartë

Gazetamax.mk

Klipin e ri të David Dreshaj duan ta bllokojnë por artisti demaskon me lejen që ka

Gazetamax.mk

Lagjja Saat Kullë, infrastrukturë të re dhe asfaltim në rrugën “Otokar Kershovani”

Gazetamax.mk