GazetaMax
Lajme

Emir Sulejmani: Komuna e Zhelinës është zhytur në borxhe mbi 6 milionë euro

Kandidati i AKI-së për Komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani, akuzoi udhëheqësinë aktuale të komunës për “shkatërrim financiar” dhe “falimentim të qëllimshëm”, duke thënë se borxhi i komunës ka kaluar shifrën prej 6 milionë euro.

“Komuna e Zhelinës është zhytur në borxhe mbi 6 MILIONË EURO! Nga 1 milion në vitin 2017, në mbi 6 milionë sot!” tha Sulejmani, duke theksuar se vetëm për një vit, nga janari i 2024 deri në dhjetor të 2024, borxhi është rritur për 1.5 milionë euro.

Borxhi zyrtar i komunës së Zhelinës, përfunduar me 31 dhjetor 2024, ishte 314.588.448 denarë, apo 5.115.259 euro. Por sipas tij, gjatë vitit 2025 borxhi është rritur edhe më shumë dhe tashmë ka kaluar vlerën e 6 milionë eurove.

“Kjo është shkatërrim financiar, kjo është falimentim i qëllimshëm, kjo është grabitje me firmë e vulën e qytetarëve! Dikush duhet të japë llogari. Dikush duhet të dalë para drejtësisë dhe të shpjegojë: Ku shkuan këto miliona? Kush i mori? Si u bë që Zhelina u kthye në komunën më të zhytur në borxhe në gjithë vendin?” deklaroi Sulejmani.

Ai akuzoi se “kjo udhëheqësi jo vetëm që ka falimentuar komunën, por e ka shkatërruar edhe dinjitetin e saj dhe ia ka marrë atë qytetarëve”, duke shtuar se “kjo nuk është vetëm dështim, kjo është krim kundër qytetarëve të Zhelinës”.

Prandaj, sipas tij, “koha e tyre ka mbaruar”. Sulejmani tha se ditën që do të marrë mandatin e kryetarit, nënshkrimi i parë i tij do të jetë për një “revizion të plotë dhe të thelluar, hap pas hapi, dokument pas dokumenti”, duke premtuar “përgjegjësi për çdo person që ka vjedhur dhe ka abuzuar me paratë e qytetarëve”.

“Sepse kjo që ka ndodhur në Zhelinë nuk mund të mbetet pa ndëshkim. Kush ka shkatërruar buxhetin e komunës, kush ka futur duart në arkën e qytetarëve, kush ka firmosur kontrata dhe fatura që kanë sjellë këtë katastrofë duhet të japë llogari,” theksoi ai.

Sulejmani shtoi se “Zhelina nuk është e tyre, Zhelina nuk është bankomat për pushtetarët. Zhelina është e qytetarëve dhe ne do t’ua kthejmë shpresën, nderin dhe të ardhmen! Do ta kthejmë komunën në duart tuaja!”

Në fund, ai prezantoi ekipin e këshilltarëve të AKI-së për Komunën e Zhelinës, duke i cilësuar si “njerëz të ndershëm, të respektuar, të cilët kanë pranuar të marrin mbi supe përgjegjësinë për të rikthyer komunën tonë në shërbim të qytetarëve”.

“Këshilltarët tanë nuk janë thjesht emra në lista, por janë garancë se vendimet e ardhshme do të jenë për njerëzit, jo për xhepat e pushtetit,” tha mes tjerash kandidati për kryetar të Komunës së Zhelinës.

Related posts

Jabllanoviq kundër protestës së sotme të serbëve

Gazeta Max

MPB dhe KSHPK do të bashkëpunojnë për të dhënat personale dhe pasurisë së qytetarëve

Gazeta Max

Qeveria do të mbajë seancën e 52 të

Gazeta Max