GazetaMax
Lajme

Enver Pajaziti po tenton të bëhet “Papa” i Bërvenicës, po kandidon për mandat të katërt!

A po tenton Enver Pajaziti të bëhet “papa” i Bërvenicës? Tri mandate nga 2009 deri në 2021 nuk i mjaftuan, dhe tani, pas një “pushimi” të detyruar prej katër vitesh, del përsëri para qytetarëve për t’ju thënë se “Jam gati për mandatin e katërt”. Dhe jo, nuk është inskenim, ai realisht beson se është ende “shpëtimtari” i komunës. Nuk duhet të harrojmë që kur një politikan thotë se do të “rikthejë shpresën” pasi e ka pasur në dorë për 12 vite dhe e ka shuar me duart e veta, nuk është më ofertë politike është fyerje për inteligjencën e qytetarëve, shkruan Zhurnal.

Çfarë nuk bëri për 12 vite do t’i bëjë ato punë për katër vite?

Gjatë javës që lamë pas, i vetëshpallur si kandidat “i pavarur”, Pajaziti na njoftoi se vendimi i tij erdhi pas “konsultimeve të gjera” me qytetarë, miq, përkrahës dhe diasporën. Në deklaratën e tij, ai kritikoi ashpër udhëheqësinë aktuale për “keqmenaxhim” dhe “mangësi”sikur ky të kishte rënë nga qielli e jo të kishte drejtuar vetë komunën për plot 12 vite. Por, të flasim për rezultate, ose më saktë, për mungesën e tyre.

Rrugët e Bërvenicës ende një pjesë e madhe prej tyre janë të paasfaltuara, të tjera të mbushura me gropa dhe pasivitetin që shihet nga qielli. Investimet në këtë komunë kanë qenë pothuajse inekzistente. Nuk u pa ndonjë strategji për të tërhequr kapital të ri, as për të zhvilluar bujqësinë si sektorin më të madh të komunës.

Shërbimet publike sipas qytetarëve të kësaj komune ka pasur vetëm zvarritje, burokraci, dhe mungesë e çdo përmirësimi domethënës në teknologji apo efikasitet. Transparenca si një nga asetet e shërbimit publik është e zbehur në këtë komunë, ku raportet financiare të mjegullta dhe komunikim minimal me qytetarët.

Në vend që Bërvenica të bëhej shembull i zhvillimit rural dhe urban, ajo ngeci në vendnumëro. E vetmja gjë që u rrit gjatë mandateve të Pajazitit ishte lista e premtimeve të pambajtura.

Premtimet e harruara të Pajazitit, për t’ua freskuar kujtesën qytetarëve:

2013 – “Do të përfundojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve kryesore dhe dytësore në çdo fshat të komunës.” Sot, shumë prej tyre duken si pas një lufte me armë bërthamore.

2017 – “Bërvenica do të bëhet qendra e zhvillimit bujqësor në rajon, me treg modern dhe subvencione për fermerët.” Sot, fermerët ende shesin prodhimet në kushte të njëjta si para 20 vitesh.

2021 (në përfundim të mandatit të tretë) – “Kam ndërtuar themelet, tani është koha për përfundimin e punëve.” Në realitet, as themelet nuk u panë, e as punët nuk u përfunduan.

Tani ai thotë se po kthehet për të rregulluar “mangësitë” e udhëheqjes aktuale. Po kush e pengoi për tri mandate të zgjidhte problemet që sot i përmend me pasion? Koha? Opozita? Apo ndoshta paaftësia për të menaxhuar me vizion? Të ankohesh për keqmenaxhimin pas 12 viteve në krye është goditje ndaj vetvetes apo vetvrasje politike. Dhe, kjo do t’i ndodhë Pajazitit.

Ky rikandidim për herë të katërt nuk është shenjë force politike, por dëshmi e një mentaliteti të vjetër ku pushteti shihet si pronë personale, jo shërbim publik. Pajaziti sillet sikur komuna i detyrohet atij një mandat të katërt, ndërkohë që qytetarët e dinë mirë se çfarë kanë marrë nga tri të parët premtime të ricikluara dhe projekte të papërfunduara.

Kujtojmë që, Bërvenica nuk ka nevojë për një “papë” lokal që sundon deri sa ta mposhtë koha. Ka nevojë për frymë të re, për njerëz që shohin më tej se zgjedhjet e radhës, për udhëheqës që llogariten para qytetarëve e jo vetëm para rrethit të tyre të përkrahësve besnikë. Sepse kur një politikan thotë se do të “rikthejë shpresën” pasi e ka pasur në dorë për 12 vite dhe e ka shuar me duart e veta, nuk është më ofertë politike është fyerje për inteligjencën e qytetarëve.

Related posts

Një hap drejt marrëveshjes për të kompensuar vendet e varfra nga ndotja e mjedisit

Gazeta Max

Lakra blihet për 43 denarë/kg, domatja 45 denarë

Gazeta Max

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nën hijen e harresës!

Gazeta Max