GazetaMax
Lajme

Ferizaj përkujton Epopenë e Jezercit, Ali Ahmeti i pranishëm në Akademinë Përkujtimore

Në nderim të 27-vjetorit të Epopesë së Jezercit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Ferizajt, sot u mbajtën homazhe dhe një akademi përkujtimore në nder të dëshmorëve dhe veçanërisht të Gjeneralit Imri Ilazi – Komandant Ferri, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Ceremonia filloi me homazhe në varrezat e dëshmorëve të Komunës së Ferizajt në ora 10:00, për të vazhduar me nderime pranë varrit të Gjeneralit Ilazi në ora 10:30. Aktivitetet kulmuan me Akademinë Përkujtimore të mbajtur në Teatrin “Adriana” të Ferizajt në ora 11:00.

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, qytetarë dhe figura të shquara nga trevat shqiptare. I pranishëm në këtë përkujtim të veçantë ishte edhe lideri i njohur politik nga Maqedonia e Veriut dhe ish-luftëtari i UÇK-së, z. Ali Ahmeti, i cili me praninë e tij dha një vlerësim të lartë për veprën dhe sakrificën e dëshmorëve të Ferizajt dhe gjithë Kosovës.

Organizatorë të ngjarjes ishin Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega në Ferizaj.

Me moton “Një vit pa Gjeneralin, një jetë me veprën e tij”, kjo ngjarje shërbeu si kujtesë e përhershme për gjakun e derdhur për liri dhe për trashëgiminë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Related posts

Agron Dedivanaj zgjidhet kryetar i ri i shoqatës “Jehona e Malësisë”

Gazeta Max

Kostovski: Buteli do të ketë poliklinikë ultramoderne, po nis një epokë e re për shëndetësinë lokale

Gazeta Max

Qytetarët vështirë t’i paguajnë këstet mujore!

Gazeta Max