Pika e kalimit kufitar në Kakavijë ka regjistruar një fluks të shtuar emigrantësh, të cilët po rikthehen drejt Greqisë pas përfundimit të festave. Sipas informacioneve, pala shqiptare po operon me katër sportele në dalje, ndërsa pala greke vetëm me dy, çka ka sjellë vonesa dhe radhë të gjata.
Emigrantët shprehen se kjo situatë është e përsëritur dhe se një nga arsyet kryesore të krijimit të fluksit është mbërritja e tyre në të njëjtën kohë pranë doganës së Kakavijës.
Qytetarët janë shprehur të shqetësuar për pritjet e gjata dhe kërkojnë një zgjidhje konkrete nga autoritetet përkatëse, duke theksuar se kjo problematikë vazhdon prej kohësh dhe ende nuk ka marrë zgjidhje, pavarësisht se përsëritet shpesh.

