GazetaMax
Lajme

Gashi e mbajti koordinimin e parë të rregullt në përbërjen e re të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot e mbajti koordinimin e parë të rregullt në përbërjen e re të Kuvendit, në të cilin ishte diskutuar kryesisht për konstituimin e komisioneve, por edhe të trupave joformalë të punës në Dhomën Ligjvënëse.

Në koordinim, përveç Kryetarit Gashi dhe sekretares së përgjithshme Cvetanka Ivanova, morën pjesë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive, përkatësisht të koalicioneve që fituan mandate të deputetëve në zgjedhjet e fundit parlamentare: Nikolla Micevski nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, Oliver Spasovski nga koalicioni i LSDM-së, Blerim Bexheti nga Fronti
Evropian i BDI-së, Halil Snopçe nga VLEN, Boban Karapejovski nga ZNAM dhe Borisllav Kërmov nga E Majta.

Kryetari Gashi njoftoi se në fund të kësaj jave të punës duhet të mbahet seanca e re e Kuvendit, me qëllim të verifikimit të dy mandateve të mbetura të deputetëve, të cilat nuk ishin verifikuar në Seancën Konstitutive më 28 maj të këtij viti. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, siç tha Gashi, tashmë ka dorëzuar raportin për këto dy mandate, kështu që këtë javë duhet të caktohet seanca për verifikimin e tyre, e cila do të kompletojë përbërjen e re të Kuvendit.

Sa i përket formimit të komisioneve, të pranishmit e shqyrtuan mundësinë që në ditët në vijim të zgjidhet fillimisht kryetari dhe anëtarët e Komisionit Juridik Ligjvënës dhe Komisionit për Sistem Politik, duke pasur parasysh se po rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së re. Më pas, në afat sa më të shkurtër të mundshëm, partitë politike duhet të dorëzojnë propozime për kryetarë, anëtarë dhe zëvendësanëtarë të të gjitha trupave të tjera të punës së Kuvendit, në përputhje me numrin e mandateve të fituara në zgjedhje.

Related posts

Islam Abazi, shef i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Gazetamax.mk

MM: 365 ditë të përkushtuar për Armatë më të fuqishme me pajisje të reja dhe moderne

Gazetamax.mk

ASH sot zgjedhë kryetarin e ri, kandidati i vetëm Arben Taravari

Gazetamax.mk