Gashi në Ohër: Sundimi i ligjit dhe pavarësia e institucioneve janë themel i demokracisë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në hapjen e Konferencës së Katërt Vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, e cila po mbahet në Ohër.

Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Gashi ka theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, pavarësisë së institucioneve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke i cilësuar këto si elemente thelbësore për funksionimin e institucioneve demokratike.

“​​Në fjalën time theksova rëndësinë e sundimit të ligjit, pavarësisë së institucioneve, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe besimit të qytetarëve në institucionet kushtetuese”, ka deklaruar Gashi.

Ai gjithashtu ka nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit institucional dhe rajonal për përballimin e sfidave bashkëkohore.

Sipas Gashit, pjesëmarrja e përfaqësuesve të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ndërkombëtare nga rajoni dhe më gjerë dëshmon rëndësinë e dialogut, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në funksion të forcimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit.

Konferenca synon të shërbejë si një platformë për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve kushtetuese të vendeve të Ballkanit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Burimi: alfax.mk