Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se “raporti i vitit 2025 mbi klimën e investimeve në Shqipëri publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një aktakuzë realiste mbi gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare”.
Sipas Bardhit, “ky raport provoi edhe njëherë denoncimet me fakte të opozitës shqiptare për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës”.
“Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg. Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria”, nënvizoi ai.
Po ashtu Bardhi theksoi se “ligji për ‘Investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta përtej afatit fillestar, dhe se shumica e mbi 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas’”.