GazetaMax
Maqedoni

Gjashtë autobusët ekologjikë iu dorëzuan autoriteteve lokale në Shkup, donacion nga BE-ja‼

1

Donacioni nga BE-ja prej gjashtë autobusëve ekologjikë ka mbërritur në garazhet dhe drejtorinë e NTP Shkup në Autokomanda. Promovimi i autobusëve u bë në prani të drejtorit të NTP-së, kryetares së qytetit të Shkupit, ministrit të Mjedisit jetësor, si dhe Delegacionit të BE-së në vend.

Sipas informacioneve, autobusët kishin mbërritur më herët në vend, por ndodheshin në magazinat e Doganës.

Çdo autobus ka kapacitet prej 98 pasagjerësh (69 në këmbë + 29 ulëse), duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, gjë që përmirëson më tej qasjen e tyre në shërbimet bazë dhe ofron mundësi për transport publik të aksesueshëm dhe lëvizje të sigurt urbane.

“Ky aktivitet që po zhvillojmë sot është një projekt me vlerë 10 milionë euro që do të kontribuojë në uljen e ajrit të ndotur, sepse është një problem mjedisor që e ndjejmë menjëherë pas fillimit të sezonit të ngrohjes”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihail Rokas, gjatë dorëzimit të gjashtë autobusëve ekologjikë.

Projekti, siç shtoi ai, përfshin qytetet e Manastirit, Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, përkatësisht ato që përballen me ndotje të shtuar të ajrit.

“Transporti është arsyeja e sasisë së madhe të emetimeve të dioksidit të karbonit që ne lëshojmë në atmosferë. Në këtë mënyrë u mundësojmë qytetarëve që në vend të automjeteve individuale të përdorin transportin publik. Duhet ta bëjmë transportin publik që sa më pak të ndotë”, theksoi Rokas.

Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti nga ana tjetër tha se përkundër masave ekzistuese të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ministria e tij dhe qeveria janë duke ndërmarrë hapa të tjerë shtesë për t’u marrë me problemin e kahershëm të qytetarëve të Shkupit.

“Sot është një ditë e veçantë, sepse me ndihmën e BE-së kryeqyteti ynë po merr 6 autobusë të rinj. Me pasurimin e flotës së NTP-së, po përmirësojmë kushtet për shfrytëzimin e transportit publik. Pavarësisht masave të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ne kemi ndërmarrë hapa shtesë. Do të marrim 100-120 autobusë elektrikë për nevojat e komunave dhe qytetit të Shkupit. Ajri nuk njeh kufij dhe duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, tha Mexhiti.

Donacion nga BE-ja bëhet përmes projektit “BE për ajër të pastër”. Siç informuan organizatorët e ngjarjes, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS), këta autobusë janë një hap i rëndësishëm në rrugën e qytetit të Shkupit drejt reduktimit të emetimeve, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe promovimit të lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane.

Related posts

BDI: Skandali në Këshillin Gjyqësor, pasqyrim i shtetit të kapur!

Gazetamax.mk

DPHM: Nga dita e premte valë e ftohtë dhe të reshura më të mëdha të shiut dhe borës

Gazetamax.mk

Ali Ahmeti uron 28 nëntorin: Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Gazetamax.mk