Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka bërë të ditur se nuk është kompetente të zgjedhë spitalin ku do të operohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke e lënë vendimin në dorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në përgjigjen ndaj kërkesës së Veliajt, GJKKO-ja ka cekur se organizimi dhe garantimi i kujdesit shëndetësor për të paraburgosurit dhe të dënuarit është përgjegjësi e Drejtorisë së Burgjeve, sipas ligjit përkatës. Drejtoria e ka caktuar operimin në spitalin “Memorial” në Fier.
Veliaj e ka refuzuar këtë spital dhe ka kërkuar të vlerësohet nga një mjek i zgjedhur prej tij, me operim në një spital të caktuar nga familja. Më 21 nëntor, avokati i tij, Plarent Ndreca, i ka kërkuar GJKKO-së me urgjencë që Veliaj të dërgohet në spitalin “Kontinental” në Tiranë për konsultë me ortopedin Alfred Gega dhe, nëse nevojitet, për operim aty. Më 22 nëntor, Veliaj nuk është paraqitur në Fier për ekzaminimet para operacionit, duke thënë se priste përgjigjen e GJKKO-së.
Sipas administratës së burgut, ortopedët kanë rekomanduar operim në Fier dhe e kanë cilësuar si të pa-urgjent. Veliaj ka deklaruar se nuk e refuzon trajtimin, por vendin e tij, dhe se është në një internim politik, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ndikuar në transferimin e tij në Fier.
Ndreca ka thënë se i është ndaluar takimi me Veliajn në burgun e Fierit dhe se përgjigjen e ka marrë me telefon, jo me shkrim. Më parë, SPAK ka propozuar që gjyqi ndaj Veliajt të zhvillohet përmes videokonferencës.
Burimi:botasot.info
