Dërgesa e parë prej 3.300 kontejnerësh të rinj ka mbërritur në Shkup, në kuadër të furnizimit më të madh të këtij lloji në historinë e qytetit, njoftoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
„Sot mbërriti dërgesa e parë nga gjithsej 3.300 kontejnerë të rinj. Vendosja e tyre nëpër qytet fillon që sot. Po zëvendësojmë kontejnerët e thyer dhe të vjetruar, po e rrisim numrin e tyre dhe po sigurojmë më shumë hapësira për hedhjen e duhur të mbeturinave.
Së bashku me kamionët e rinj, të cilët javën e ardhshme do të vihen në funksion, po krijojmë kushte për grumbullimin më të shpejtë dhe më efikas të mbeturinave dhe për lagje më të pastra në të gjithë Shkupin”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se një tjetër aspekt i rëndësishëm është çmimi i blerjes, duke bërë të ditur se paraardhësit e tij kishin paguar nga 18.600 denarë për të njëjtët kontejnerë, ndërsa tani ata janë siguruar me çmim dy herë më të ulët.
Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se janë siguruar edhe 60 kontejnerë të veçantë për selektimin e qelqit.
