GazetaMax
Lajme

Gjuha maqedonase në Kornizën negociuese pa shpjegime shtesë, konferenca e parë ndërqeveritare pas përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë propozon Parisi

Shkup, 18 qershor – Në propozim-kornizën negociuese të presidencës franceze të BE-së emërtimi i gjuhës në të cilën do të përkthehet e drejta e përbashkët evropiane është me përcaktim të pastër “maqedonase”, pa shpjegime shtesë ose fusnota. Propozimi i Francës parasheh që më 23 qershor të këtij viti Këshilli për Çështje të Përgjithshme të BE-së ta miratojë Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe për ditën e njëjtë të caktojë konferencë politike ndërqeveritare.

Siç bën të ditur “360 gradë”, që ka parë propozimin, Këshilli në takimin e njëjtë do të miratojë edhe vendim se konferenca e ardhshme ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve për anëtarësim do të mbahet menjëherë pasi Maqedonia e Veriut ta përfundojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës për shkak të përfshirjes së bullgarëve në Preambulë.

“Në fakt, bëhet fjalë për pako prej disa dokumenteve, dy prej të cilave janë më thelbësoret – propozim-korniza negociuese dhe propozim-konkluzionet e Këshillit të BE-së për mbledhjen e javës së ardhshme. Përshtypja e parë është se bëhet fjalë për një grup dokumentesh në të cilat presidenca franceze e BE-së u përpoq të balanconte kërkesat kryesore (vijat e kuqe) të dy palëve. Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së pritet të miratojë Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut më 23 qershor të këtij viti dhe të caktojë një konferencë politike ndërqeveritare në të njëjtën ditë. Në të njëjtën mbledhje, këshilli do të vendosë që konferenca e ardhshme ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të mbahet sapo Maqedonia e Veriut të përfundojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë bullgarët në preambulën e saj”, bën të ditur “360 gradë”.

Pakoja e dokumenteve parasheh edhe se drejt konkluzioneve të konferencës së parë ndërqeveritare, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të dorëzojnë deklarata të njëanshme për gjuhën maqedonase, të cilat do të përfshihen vetëm drejt procesverbalit nga ai takim, pa ndikuar në përmbajtjen e kornizës negociuese.

Në kornizën propozim-negociuese, në segmentin për procedurat e bisedimeve, shkruan Maqedonia e Veriut do të miratojë plan veprimi kushtuar mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe bashkësive, përmbushja e të cilit rregullisht do të ndiqet në konferencat ndërqeveritare.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski në profilin e tij në Fejsbuk publikoi disa pjesë të dokumenteve në të cilat thuhet se janë Propozim-konkluzione për takimin e Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të BE-së, të caktuar për më 20 qershor.

Në fragmente theksohet se Maqedonia e Veriut duhet të tregojë rezultate të prekshme në përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal dhe për të zbatuar marrëveshjet dypalëshe në mirëbesim, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017 me Bullgarinë, si dhe protokollet dypalëshe për zbatimin e tyre.

“Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes dhe qëndrimit jodiskriminues ndaj qytetarëve që u përkasin pakicave apo komuniteteve. Për të siguruar pakthyeshmërinë  e progresit në këto fusha dhe zbatimin e plotë dhe efektiv të tyre, progresi do të monitorohet nga afër nga Komisioni Evropian, i cili do t’i raportojë rregullisht Këshillit Evropian, në të cilat shtohet se progresi në këto fusha do të monitorohet  gjatë gjithë procesit të negociatave.

Në publikimin e tij në Fejsbuk, Milloshovski thekson se në dokument “ka përkeqësime serioze të vendosura si kushte plotësuese” për vendin.

“Marrëveshja dypalëshe e Prespës, si dhe Marrëveshja me Bullgarinë, bëhen pjesë përbërëse e kornizës negociuese me BE-në, së bashku me procesverbalin e Komisionit të Përbashkët Historik, i cili do të duhet të interpretohen në rezultate të prekshme. Maqedonisë i hapet një çështje tjetër e pakicave (lexo përsëri hapjen e Kushtetutës) që do të jetë një kusht i ri, nga i cili do të varet kur të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare. Procesi i Stabilizim-Asociimit, i cili deri më tani është i ndarë, do të bëhet pjesë integrale e Kornizës negociuese me BE-në dhe përmes tij do të futen kërkesat dhe kushtet e reja në lidhje me Deklaratën Kornizë të Bullgarisë nga viti 2019”, njoftoi Milloshovski në publikimin.

Paraprakisht dje, gazeta e Sofjes “Dnevnik”, njoftoi se presidenca franceze me Bashkimin Evropian, vendeve-anëtare të Unionit u ka ofruar “formulë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, që duket se i përmbushë kushtet e Bullgarisë për dhënien e pëlqimit dhe heqjen e vetos”.

“Dnevnik” bën të ditur se formula franceze parasheh procesi negociues me Maqedoninë e Veriut të fillojë madje pasi të shtohen ndryshime në preambulën e Kushtetutës së saj, lidhur me “qytetarët të cilët jetojnë në shtet të cilët janë pjesë e popujve të tjerë, duke i përfshirë edhe bullgarët”. “Vetëm atëherë shpejtë do të konvokohet konferenca e parë ndërqeveritare, me çka në mënyrë efektive do të fillojë procesi negociues për anëtarësim”, shkruan “Dnevnik”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dje nga Ohri i bëri thirrje opozitës që të mos bëjë përpjekje  që çështjen e integrimit evropian të vendit ta vendosë në funksion të tubimeve partiake, duke komentuar zërat në lidhje me Propozim-konluzionet e publikuara nga ana e VMRO-DPMNE-së opozitare.

“Mendoj se opozita tenton të krijojë atmosferë para protestës së tyre, për të tërhequr një njeri më shumë. Mendoj se deri më tani nuk janë treguar kredibile qëndrimet dhe burimet e tyre. Atë që unë mund ta them është se ka filluar procesi i konsultimeve midis vendeve anëtare para se të harmonizohet qëndrimi i të gjitha vendeve anëtare lidhur me procesin më tutje që të mund të arrihet tek ne, që ne t’i analizojmë ato propozime dhe të japim vërejtje tona, nëse ka vërejtje të tilla. Do të thotë që procesi është ky. Së pari, presidenca franceze jep propozime të cilat i distribuon tek të gjitha vendet anëtare. Çdo vend anëtar mund të japë vërejtje duke e përfshirë edhe Republikën e Bullgarisë. Atmosfera në Republikën e Bullgarisë, të gjithë jemi dëshmitarë si është. Prandaj unë nuk do të hyja në komente të propozimeve të ndryshme, sepse mendoj se së pari është me rëndësi t’i dëgjojmë qëndrimet e të gjitha vendeve anëtare dhe më pas do t’i themi ne qëndrimet tona”, tha Osmani në pyetje të gazetarëve në konferencën përfundimtare për shtyp me rastin e Forumit të Prespës për dialog në Ohër.

Ai konfirmoi se janë të njoftuar me të gjitha informacionet që para se të dalin, përmes kanaleve të rregullta për komunikime dhe përsëriti se po pritet qëndrimi i vendeve anëtare që më pas ne t’i themi vërejtjet tona, ndërsa çdo vendim i ynë do të kalojë përmes Parlamentit.

“Megjithatë, këto janë propozime të cilat tani janë lëshuar tek vendet anëtare. Mendoj se pozita jonë duhet të jetë që të presim çka do të thonë vendet, ne më pas do t’i themi vërejtjet tona nëse është pranuar diçka ose nuk është pranuar asgjë. Kam thënë disa herë nëse vendosim për ndonjë përgjigje dhe vendim, kuptohet do të konsultohen edhe deputetët edhe opozita”, shtoi Osmani.

Related posts

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

Gazetamax.mk

Raporti i KE-së: Parlamenti duhet të ketë një rol aktiv dhe pozitiv në procesin e negociatave me BE-në

Gazetamax.mk

Edhe një ekspert i bashkohet radhëve të Aleancës për Shqiptarët

Gazetamax.mk