GazetaMax
Lajme

Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe të tjerëve për shkak të parashkrimit

Për shkak të parashkrimit, gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe të tjerëve.
Për shkak të parashkrimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shtatë të akuzuarve tjerë, Rexhep Selimi, Lah Ibrahimaj, Zafir Berisha, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Ymeri.
Të njëjtit akuzoheshin se në nëntor të 2015-ës penguan zyrtarët policorë në arrestimin e tani kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbrojtësi i Daut Haradinajt, avokati Kujtim Kërveshi.
Në aktvendimin e shkallës së parë, thuhet se në këtë çështje ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Duke ju referuar emërtimit ligjor të veprës penale për të cilën janë akuzuar të pandehurit e lartcekur, kjo gjykatë konstaton si në vijim: Sipas nenit 106, par.1, nën par 1.5 të KPRK-së, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim. Ndërsa, sipas nenit 107, par.8 të KPRK-së, specifikohet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit. Në rastin konkret, sipas aktakuzës vepra penale është kryer me datë 17.11.2015 dhe nga koha e kryerjen së veprës penale të pretenduar, kanë kaluar më shumë se gjashtë (6) vjet. Andaj, gjykata konstaton se në këtë çështje penale parashkrimi absolut i ndjekjes penale ka arritur me datë 17.11.2021.”, thuhet në vendimin e gjykatësit Ngadhnjim Arrni të marrë më 21 mars 2022, e të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, konform dispozitave ligjore, të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare të ngritur më 15 mars 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri akuzoheshin se së bashku me Donika Kadaj-Bujupin, Pal Lekajn, Haxhi Shalën dhe Fisnik Ismajlin, në hyrje të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas një mosmarrëveshje paraprake e në bashkëkryerje, në grup e me dashje kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ndërsa, sipas aktakuzës së precizuar më 13 mars 2018, për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” akuzoheshin vetëm Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri.
Sipas aktakuzës, derisa të dëmtuarit-zyrtarët policorë Ifus Xhemajli, Agron Haziri, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha, Burim Gjoshi, Shaban Beqiri, Artan Osmani, Xhavit Selimi, Faik Mehmeti, Xhemjal Abdullahu, Rafet Ibishi, Irfan Haziri, Iliri Selimi, Nazmi Kastrati dhe Faik Kraniqi ia kanë kumtuar lajmin Albin Kurtit me fjalët “jemi Policia e Kosovës dhe se duhet të shoqërohesh me ne deri në stacionin policor, sipas urdhrit për urdhër arrest të datës 17.11.2015, të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda”, me qëllim të procedimit të tij penal në organet kompentente për armëmbajtje pa leje, përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm e vepra tjera penale, Selimi e të tjerët kanë reaguar duke e futur Kurtin në mesin e tyre. Me këto veprime thuhet se të njëjtit ia kanë pamundësuar personave zyrtarë shoqërimin e Kurtit deri tek organet kompetente, të cilat kanë kërkuar arrestimin e tij.
Me këtë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri akuzoheshin për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Related posts

SHGM: Torturohen gazetarë nga nëpunës të Higjienës Komunale, MPB urgjentisht të reagojë

Gazetamax.mk

Berlini dhe Athina qëndrojnë pas perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor

Gazetamax.mk

Rusia mundohet me lajme të rrejshme të mashtrojë qytetarët !

Gazetamax.mk