Gjykatësja i quan “Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde”: Vëllezërit Alexander dënohen me nga 30 vjet burg për përdhunime serike

Një gjykatëse federale në Manhattan i ka dënuar të martën me nga 30 vjet burg vëllezërit Tal, Oren dhe Alon Alexander, tre ish-figura të njohura të tregut të pasurive të paluajtshme luksoze në New York dhe Miami. Ata u shpallën fajtorë për drogimin dhe përdhunimin e shumë grave gjatë më shumë se një dekade.

Gjykatësja Valerie Caproni i krahasoi vëllezërit me personazhet e njohur letrarë. “Mendimi im për të pandehurit është se ata i ngjanin shumë Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde”, tha ajo para Tal Alexanderit, 40 vjeç, dhe vëllezërve të tij binjakë, Oren dhe Alon, 39 vjeç.

“Nuk i quaj njerëzit përbindësha, sepse edhe përdhunuesit mund të ndryshojnë, por sjellja juaj ishte monstruoze”, shtoi gjykatësja, duke iu referuar dëshmive të viktimave që i kishin përshkruar vëllezërit si grabitqarë seksualë sadistë. “Krimet tuaja ua shkatërruan jetën”, u tha ajo.

Dënimi u shqiptua pas një seance që zgjati gjithë ditën, gjatë së cilës 11 viktima u përballën drejtpërdrejt me vëllezërit në sallën e gjyqit. Për krimet për të cilat u shpallën fajtorë, ligji parashikonte një dënim minimal prej 15 vitesh dhe maksimal burgim të përjetshëm.

Artistja nga Brooklyni, Lindsay Acree, e cila kishte dëshmuar se ishte droguar dhe përdhunuar nga Tal Alexander në vitin 2021, u përlot gjatë fjalës së saj. “Pse e bëtë këtë? Nuk e kuptoj mizorinë. Nuk e kuptoj urrejtjen ndaj grave”, u tha ajo vëllezërve.

Një tjetër viktimë, një modele ukrainase që dëshmoi nën pseudonim, tregoi se ishte paralizuar nga një pije e droguar, ndërsa Oren e përdhunonte në një vilë luksoze në Sag Harbor, ku vëllezërit organizonin festa.

Krime në Hamptons, Aspen dhe në një kroçerë

Gjatë gjyqit, jurisë iu paraqitën prova se vëllezërit kishin sulmuar seksualisht gra, ndonjëherë edhe së bashku, në vilat e Hamptons, në apartamente në New York, gjatë një udhëtimi skijimi në Aspen të Kolorados dhe gjatë një kroçere në Karaibe, në periudhën 2008–2021. Sipas prokurorisë, ky model sjelljeje fillon edhe më herët, në vitet 2001–2002, kur ata ishin ende nxënës të shkollës së mesme në Florida.

“Të pandehurit kanë gjuajtur gra dhe vajza të reja, duke përdorur drogë dhe dhunë për t’i paaftësuar, në mënyrë që t’i përdhunonin”, deklaroi prokurori federal i Manhattanit, Jamie McDonald. Sipas tij, për vite me radhë ata kanë përdorur karrierën dhe statusin shoqëror për të fshehur rrezikun që përbënin.

Tal dhe Oren ishin agjentë të njohur imobiliarë, me klientë si Kim Kardashian dhe Kanye West, dhe kishin ndihmuar në shitjen e penthausit rekord prej 240 milionë dollarësh të miliarderit Ken Griffin në Manhattan. Vëllai i tyre, Alon, punonte në kompaninë e sigurisë së familjes.

Mohojnë akuzat edhe pas dënimit

Të veshur me uniforma burgu, të tre vëllezërit e mohuan sërish fajësinë. “Unë dhe vëllezërit e mi nuk kemi droguar apo përdhunuar askënd. Nuk kemi trafikuar askënd për seks”, tha Oren, i cili fajësoi për sjelljen e tij edhe “kulturën e lidhjeve të rastit” dhe e pranoi se në ato vite kishte festuar shumë.

Tal, me zë të dridhur, tha se aktakuza e vitit 2024 ishte si një bombë atomike që i kishte shkatërruar jetën. Ndërsa Alon u përlot kur foli për fëmijët e tij: “Nuk jam njeri i përsosur, por jam i pafajshëm për këto akuza”.

Binjakët pretenduan se kishin kaluar testin e poligrafit, por gjykatësja e hodhi poshtë këtë argument, duke kujtuar se gënjeshtarët mund ta kalojnë këtë test. Ajo vuri në dukje gjithashtu se asnjë mik i vjetër a i ngushtë i vëllezërve nuk i kishte dërguar gjykatës letër mbështetjeje.

Prindërit e tyre dhe bashkëshortet e Orenit dhe Alonit nuk ishin të pranishëm në seancën e dënimit, edhe pse kishin ndjekur pjesën më të madhe të gjyqit. Të tre vëllezërit kanë njoftuar se do ta apelojnë vendimin. Ata përballen ende me akuza penale për përdhunim në Florida dhe me disa padi civile.

Burimi:botasot.info