GazetaMax
LAJME

Gjykimi për rastin me vrasjen e henbollistit kroat Denis Tor vazhdon më 22 nëntor

Shkup, 9 nëntor – Gjykimi për rastin me vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot, i cili ishte rrahur deri në vdekje para një diskoteke në Parkun e Qytetit në Shkup vazhdon më 22 nëntor, pasi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup dëshmoi një dëshmitar i rastit.

Në seancën e sotme dëshmoi Martin Gjorgjievski, i cili së bashku me të akuzuarit Anxhelo Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski kishte dalë natën kur ndodhi ngjarja konkrete.

Dëshmitari tregoi për rrjedhën e ngjarjeve në diskotekë deri në shkuarjen në taksi.

“Unë isha prapa bashkëvozitësit, më pas mendoj se Anxhelo u ul afër meje në mes, ndërsa Klementina hyri nga dera e majtë. Që të ulej edhe Viktori, Klementina u zhvendos tek Anxhelo në prehër. Denisi hyri në taksi dhe i thamë të dalë, sepse preism të hyjë një shok, por ai me këmbëngulje futej në taksi dhe filloi t’i thotë Klementinës fjalë ofenduese si dhe Anxhelos. Anxhelo i tha të qetësohej, ndërsa Klementina i tha të dalë sepse nuk ishte vendi për të. Atë pjesë të sekondës filloi një lloj tollovie brenda në taksi dhe kishte sulm ndaj Klementinës dhe Anxhelos nga ana e Denisit”, tregoi Martin Gjorgjievski.

Më pas, siç tha, Anxhelo kishte thirrur “pse më bie” dhe se e tërë ajo kishte ndodhur brenda një sekonde. Kur ka dalë nga taksi, tani i ndjeri Denis Tot, tashmë kishte rënë me shpinë dhe ai menjëherë kishte dalë për t’i ndarë.

“Ishte tronditje për mua, megjithatë, Denisin e kisha shok, çdo të dytën, tretën ditë të javës ne ishim së bashku”, tha ai.

Avokati Ile Tanev, në një deklaratë për mediat pas gjykimit, deklaroi se dëshmia e dëshmitarit shkon në drejtim tjetër.

“Jep një pasqyrë tjetër e cila në asnjë rast nuk mund t’i nënshtrohet atij kualifikimi i cili është dhënë, sepse, thjeshtë bëhet fjalë për një incident të momentit, bëhet fjalë për konflikt dhe bëhet fjalë për një zënkë të thjeshtë”, tha avokati.

Sipas tij, shpallje e pafajësisë nuk mund të pritet, por, shtoi, nëse mbetet një kualifikim i tillë juridik, do të ishte logjike sepse, siç tha “një vepër e tillë nuk ekziston”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Anxhelo Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski për vepër penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 2 të Kodit penal. Në pajtim me aktakuzën, të akuzuarit ngarkohen se më 7 prill, para një klubi të natës në parkun e Qytetit në Shkup, bashkarisht e kanë privuar nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.

Procesin e udhëheqë gjykatësja Elena Ilievska Josifoviq, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurorja Tanja Trajçevska.

Seanca e ardhshme gjyqësore në të cilën është paraparë që të merren në pyetje të akuzuarit është caktuar më 22 nëntor.

Related posts

Skiliftet nuk punojnë, skijuesit ia mësyjnë malit në këmbë në Kodrën e Diellit

e-max

Vendet e QUINT-it për mos lejimin e zgjedhjeve të Serbisë: Jemi të zhgënjyer me Qeverinë

e-max

Paralajmërohet shtrenjtim i ilaçeve nga 1 marsi

e-max