Erling Haaland ka reaguar pas fitores dramatike të Norvegjisë ndaj Danimarkës, duke sqaruar deklaratën e tij të mëparshme se nuk ishte shumë i motivuar për përballjen në Kopenhagë.
Pas fitores 3-1 ndaj Uellsit, më 14 nëntor, Haaland kishte deklaruar për televizionin norvegjez TV 2 se nuk po gjente motivimin e duhur për ndeshjen ndaj Danimarkës, duke përmendur kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve me Manchester Cityn.
Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes ndaj Danimarkës, ku Norvegjia arriti një përmbysje të madhe, Haaland reagoi përmes një postimi në Snapchat.
“Imagjinoni rezultatin sikur të isha më i motivuar”, shkroi Haaland.
Ai më pas sqaroi se motivimi për të luajtur me kombëtaren norvegjeze nuk kishte munguar, duke pranuar se deklarata e tij pas ndeshjes me Uellsin mund të ishte keqinterpretuar.
“Çfarë ndeshjeje! Zoti im, çfarë përballjeje. Një përfundim absolutisht i çmendur. Ishte kënaqësi e madhe. Motivimi ishte aty, natyrisht, këtë të mos e harrojmë”, shkroi sulmuesi.
Haaland shtoi se intervista ishte dhënë menjëherë pas një ndeshjeje ku kishte luajtur 99 minuta, duke pranuar se në raste të tilla mund të thuhen gjëra që nuk pasqyrojnë plotësisht atë që mendohet.
“Kur jep një intervistë menjëherë pas një ndeshjeje, pasi ke luajtur 99 minuta, është e lehtë të thuash gjëra që ndoshta nuk i mendon vërtet. Ndonjëherë është më mirë të mos thuash shumë. Ky është një mësim që do ta marr me vete. Ndoshta në të ardhmen duhet thjesht ta refuzoj intervistën dhe kështu shmangim krijimin e titujve”, u shpreh ai.
Në një mesazh tjetër, Haaland sqaroi se mungesa e motivimit për të cilën kishte folur lidhej me komentet e analistit Lokberg.
Norvegjia arriti fitore 3-2 ndaj Danimarkës në Kopenhagë, pasi ishte në disavantazh prej dy golash që në 16 minutat e para.
Burimi: botasot.info
