Pritjes së gjatë i erdhi fundi për Lewis Hamiltonin dhe Ferrarin. Në luftën për pozitën e parë në kualifikimet e Çmimit të Madh të Meksikës, britaniku mposhti bashkëkombësin e tij George Russellin për vetëm nëntë të mijëtat e sekondës. Ndërkohë, Kimi Antonelli, që është shumë pranë titullit të kampionit të botës, do ta nisë garën nga rreshti i dytë. Të dy pilotët e Audi-t mbetën jashtë dhjetëshes së parë.
Sipas mediumit zviceran “Blick”, befasia ndodhi në Mexico City, në një lartësi prej 2.200 metrash mbi nivelin e detit, ku jo të gjitha makinat e katër skuadrave më të mira të Formula 1 arritën të kualifikoheshin në fazën përfundimtare të dhjetëshes së parë.
Oscar Piastri mbeti jashtë që në fazën e dytë të kualifikimeve (Q2). Piloti australian i McLarenit, i cili vitin e kaluar kishte ende gjasa për titullin e kampionit të botës deri në garën e fundit, do ta nisë garën të dielën nga rreshti i shtatë, së bashku me pilotin e Audi-t, Gabriel Bortoleto.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë vit nuk pritet një luftë e ngushtë për titullin deri në garën e fundit. 20-vjeçari Kimi Antonelli po tregohet shumë i qetë dhe dominues. Atij i mjafton vendi i nëntë në Meksikë për ta siguruar përfundimisht titullin e kampionit të botës, pavarësisht rezultateve të rivalëve.
Në kualifikime, Antonelli zuri vendin e pestë, por pas penalizimit të Max Verstappenit, piloti i ri i Mercedesit u ngjit në rreshtin e dytë, përkrah Charles Leclercut.
Rreshtin e parë do ta përbëjnë pikërisht Lewis Hamilton dhe George Russell, dy pilotë që të dielën do të kërkojnë patjetër fitoren nëse duan ta shtyjnë sa më shumë festën e titullit të Antonellit.
Hamilton ishte më i shpejtë se Russell për vetëm nëntë të mijëtat e sekondës, duke i siguruar Ferrarit pozitën e parë të nisjes (pole position) për herë të parë që nga gushti i vitit 2025, në Hungari.
Për 41-vjeçarin britanik kjo është pole position e 105-të në karrierë, por e para si pilot i Ferrarit dhe e para që nga korriku i vitit 2023, gjithashtu në Hungari.
Burimi: botasot.info
