Atletja etiopiane Ruti Aga është dënuar me 6 vite pezullim nga Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU), pas rezultatit pozitiv në testin antidoping dhe manipulimit të mëvonshëm të provave në përpjekje për të justifikuar shkeljen.
Aga, e cila ishte pezulluar përkohësisht në shtatorin e kaluar, fitoi maratonën e Tokios në vitin 2019.
Ajo ka një rekord personal prej 2 orësh, 18 minutash e 9 sekondash në maratonë dhe gjatë karrierës së saj është ngjitur gjashtë herë në podium në garat e kategorisë “Majors”.
Testi pozitiv u regjistrua pas pjesëmarrjes së saj në gjysmëmaratonën e Xiamenit, në Kinë, më 15 mars.
Në organizmin e atletes u zbulua metilprednizolona, një substancë kortikosteroide.
Për këtë shkelje, Aga u dënua fillimisht me dy vite pezullim. Katër vitet e tjera të sanksionit lidhen me manipulimin e provave.
Gjatë procesit të mbrojtjes, atletja paraqiti një recetë të falsifikuar, të cilën pretendonte se e kishte marrë nga një klinikë që, sipas hetimeve, nuk ekzistonte.
Aga kishte argumentuar se rezultati pozitiv vinte si pasojë e një trajtimi mjekësor për një dëmtim në gju.
Burimi: botasot.info
