GazetaMax
Kosovë

Historia e trishtë e agronomit të famshëm të diplomuar në Francë: E çonin në një vend të panjohur, ku i vinin litarin në qafë dhe…

Jeta e Adem Belit, një prej agronomëve të rëndësishëm shqiptarë, e rrëfyer përmes përshkrimit të të birit, dokumenteve zyrtare dhe fotove domethënëse. Një jetë e ndarë mes kontributit të vyer në disa sektorë të bujqësisë dhe torturave çnjerëzore në qelitë e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Rryma elektrike në veshë dhe goditjet në shputat e këmbëve, i lanë dëmtime të pariparueshme e megjithatë, pas daljes nga burgu, ai vazhdoi të shërbente aty ku ua kishin nevojën, dijeve dhe përvojës së tij! Tulipanët dhe Gladiolat, eksportoheshin me sukses në Holandë, por ato nuk mund të “tregonin” për torturat që ishin bërë ndaj agronomit të tyre, si dhe padrejtësitë e tokës ku rriteshin.

E kush e ka menduar që Holanda e Tulipanëve, në vitet ’70-të, një pjesë të luleve të saj simbolike i importonte nga Shqipëria! E bashkë me Tulipanët, Irisë, Zymbyla, Zambakë e Gladiola…! Kultivimi i tyre, mbikëqyrej nga Stacioni Eksperimental i Flori-kulturës, drejtues teknik i të cilit, në vitin 1971, u emërua agronomi Adem Beli. Ademin e caktuan në këtë stacion, që rezultoi shumë i suksesshëm, për të plotësuar vitet e punës, pasi kishte dalë në pension të parakohshëm, për shkak të gjendjes shëndetësore, si shkak i viteve që kishte kaluar në qelitë e Sigurimit dhe kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist në fuqi.

Shqetësimi kryesor ishin këmbët që, të gangrenizuara dikur prej torturave në birucat e hetuesisë dhe punës për tharjen e kënetës së Maliqit, ishin acaruar më pas, nga ecja, terreni i thyer i kooperativave bujqësore ku e caktonin me punë dhe çizmet e llastikut, që nuk iu ndanë gjatë viteve kur ai shërbeu nëpër fshatra.

Siç thuhet në jetëshkrimin e tij, që i biri, Arben Beli, na ka mundësuar, shtëpia ku, në vitin 1909, u lind Ademi, në Korçë, ishte një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pranë oxhakut të së cilës mblidheshin patriotë të shquar, si; Sali Butka, Mihal Grameno, Spiro Bellkameni etj.

Ai ishte një nga nxënësit e shkëlqyer të Liceut Francez, ku filloi të studionte në vitin 1921 dhe më 1924, nisi Shkollën Ushtarake Mbretërore në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1931. Punoi për pak kohë si oficer dhe në fillim të vitit akademik 1935, nisi në Itali, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Mbaron vitin e parë aty dhe zhvendoset në Universitetin e Tuluzës në Francë, ku përgatitet si inxhinier agronom.

U diplomua në vitin 1939 dhe në fund të atij viti u kthye në atdhe. Ademi ishte një i ri aktiv që u përfshi në veprimtaritë antifashiste dhe ndihmoi në mbledhjen e kontributeve financiare për të mbështetur Luftën Civile të Spanjës gjatë kohës që ishte në Tuluzë e Paris.

Në Shqipëri, u emërua kryeinspektor i bujqësisë, në prefekturën e Vlorës. Ai kishte ide nacionaliste, për një demokraci liberale perëndimore. Edhe këtu, vazhdoi të ishte njëkohësisht i angazhuar në punën shkencore dhe në zhvillimet kombëtare. Ndërsa trajtonte kulturën e ullinjve të bregdetit, zyra e tij në Vlorë, u shndërrua në qendër të organizimit të demonstratave antifashiste.

Bashkëpunonte me nacionalistët Skënder Muço e Hysni Lepenica dhe mori pjesë në luftën e Gjormit, si dhe veprime të tjera luftarake. Megjithatë, pikën kulmore të acarimit, marrëdhëniet e tij me pushtuesit italianë e arritën kur ai refuzoi të firmoste shitjen atyre, të fushës së aviacionit. Emri i tij u shtua në listën e internimeve në Ventotene, që Ademi i shpëtoi duke u hedhur në ilegalitet.

Në Vlorë la pas një bazë të saktë të dhënash, për çdo rrënjë ulliri, të ndërtuar sipas modelit francez. Jo vetëm kaq, por organizoi edhe punën për ndërtimin e Stacionit të Parë Sinoptik të Vlorës. Mbas tetorit të vitit 1943, rikthehet në detyrë, si kryeinspektor i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.

Pas luftës, kur Shqipëria po përgatiste kuadrot e rinj në sektorë të ndryshëm, Adem Beli drejtoi kurset e para për formimin e mekanikëve, traktoristëve dhe drejtuesve të bujqësisë në fermën e Xhafzotajt, pasi ai kishte marrë në Tuluzë edhe dy diploma plotësuese, për traktorist dhe manovrator të makinerive bujqësore. Më pas transferohet në Berat, ku angazhohet ndër të tjera, me problemin serioz të karkalecave, që shkatërronin të mbjellat e asaj periudhe.

Vitet e reja të mbrapshta

Kishte vetëm shtatë vite që ishte kthyer në Shqipëri, kur e arrestuan. I vunë prangat më 31 dhjetor të vitit 1946. Të nesërmen për të, do të niste një vit dhe një jetë e re, e kundërta e asaj që zakonisht njerëzit janë të prirur të shpresojnë me optimizëm, në fillim të një viti. Jo vetëm për të, por edhe për familjen. Në këtë kohë Ademi ishte martuar me Shadije Alizotin dhe prej dy vitesh, ishte bërë baba i një vajze.

Adem Belin e akuzuan për tradhti në bashkëpunim me grupin e deputetëve, të kryesuar nga Riza Dani. 37-vjeçari provoi mbi trupin e tij, disa nga torturat më të egra të manualeve që hetuesve shqiptarë, u kishin rënë në dorë: goditje elektrike me fije të vendosura në veshë, goditje me shkopinj në shputat e këmbëve, mbushja e birucës me ujë, ku, prej plagëve të hapura e të patrajtuara, shumica e gishtërinjve, po i shkëputeshin. Për një vit të tërë, hetuesit, me në krye Nevzat Haznedarin dhe Stavri Xharën, nuk u lodhën së e torturuari. E lëshonin vetëm atëherë kur era e këmbëve të gangrenizuara iu bëhej e padurueshme.

Nuk merreshin vetëm me trupin, por edhe me shpirtin. E torturonin psikologjikisht, duke e çuar në një vend të panjohur, ku i vinin litarin në qafë, me kërcënimin që do e varnin po të mos tregonte bashkëpunëtorët. I fusnin spiunë në birucë…! Megjithatë, ai nuk e hapi kurrë gojën.

Akuza e tij dhe e një grupi të tërë të arrestuarish, ishte se; “kishin formuar komitete të ‘Ballit Kombëtar’, se kishte ekzekutuar vendimet e Komitetit Qendror, të përbashkët dhe nëpërmjet funksionarëve të UNRRA-s, janë lidhur me kriminelët e arratisur në Itali, Mid’hat e Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra etj., prej të cilëve kanë marrë udhëzime, ndihma dhe u kanë dhënë informata”.

Morali i fortë, stoicizmi që buronte nga vlerat familjare dhe patriotike, besimi në Zot, i dha atë forcë të paimagjinueshme për t’u rezistuar të gjitha përpjekjeve të tyre që të pranonte fajin. I mbetej të priste ekzekutimin, që ia kishin premtuar më shumë sesa një herë, mirëpo kur doli në gjyq, në janar të vitit 1948, u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar, i akuzuar “për organizimin e komiteteve, kundër pushtetit popullor”.

Meritën për ndryshimin e akt-akuzës dhe vendimit të dënimit, e kishte ndërhyrja e të vjehrrit, Ali Demir Alizotit. Emrin e tij e gjejmë në përshkrimet e hershme, si një nga themeluesit e Fabrikës së Trikotazhit në Korçë, ku bashkëshortja e Koçi Xoxes, kishte qenë drejtuese teknike, për disa vjet. Kjo njohje e vjetër, bëri që Ademit t’i falej jeta, por nuk ishte ndërhyrja e vetme, që e ka shpëtuar mrekullisht jetën e tij, gjatë viteve të dënimit dhe përndjekjes.

Këtë të dënuar me këmbë të gangrenizuara, e çuan në kampin ku të dënuarit punonin me këmbë të zhytura në baltë, për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjendja e tij u rëndua, por me ndihmën e çmuar të doktor Isuf Hysenbegasit, plagët iu mbyllën. Megjithatë, veçse i shurdhët nga veshi i djathtë dhe pjesërisht nga i majti, prej goditjeve elektrike, ai mbeti përgjithmonë i dëmtuar, edhe nga këmbët.

Gjatë vitit që torturohej në hetuesi, qeveria shqiptare vazhdonte reformat e saj, të cilat do të preknin edhe familjen e Ademit. Fabrika e Trikotazhit të të vjehrrit, ku në vitet e para ishte angazhuar edhe bashkëshortja, Shadija, do të shtetëzohej. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Ademit, u sekuestruan si pjesë e dënimit. Të gjitha këto ia vështirësuan edhe më shumë jetën bashkëshortes së tij, e cila kishte mbetur e vetme, me vajzën e tyre dyvjeçare, Zanën.

Gangrenë në këmbë, gladiola në shpirt

Në vitin 1952, Adem Beli lirohet me kusht dhe çohet, sigurisht i survejuar, të punojë si i burgosur, në Gjazë të Lushnjës. Nga aty e çojnë në burgun e artizanatit në Tiranë, për të përkthyer literaturë nga italishtja dhe frëngjishtja. Në këtë kohë, ndodh sërish një nga ato ndërhyrjet mrekullibërëse që i jep lirinë agronomit, të cilin regjimi kishte vendosur ta kalbte në burg.

Drejtori i burgut, Laze Sulejmani, nga Vlora, e cili e njihte që në vitet e punës së Ademit në Vlorë, habitet kur e sheh dhe i premton se do të fliste me vlonjatin tjetër, Hysni Kapon, për ta nxjerrë që aty. Hysni Kapo, i cili njihte kontributin e Ademit në Francë, e më pas në qytetin e Vlorës, arrin që ta lirojë përfundimisht nga burgu. Nga viti 1954, deri në vitin 1971, kur doli në pension të parakohshëm, Ademi punoi si agronom në kooperativa të ndryshme të Shkodrës, Lezhës, Krujës e Tiranës.

Gjatë këtyre viteve, ai implementoi metoda origjinale të suksesshme, siç ishte ajo e plehërimit të kombinuar, për të cilat dekoratat shkonin në duart e gjoksin e kryetarit të kooperativës ku ai shërbente. Megjithëse Ademi arriti të kthehej në profesion, nuk ishte e thënë se “reja” e përndjekjes, u largua nga ai.

Në vitin 1957, e caktuan pedagog në Shkollën e Kuadrove të Kooperativave Bujqësore, por me ta marrë vesh drejtori, se kush ishte, bëri çmos, derisa e pushoi nga puna. Me të njëjtin trajtim të padrejtë, u godit dhe familja e tij, megjithëse ata patën fatin, të mos internoheshin.

Bashkëshortja, megjithëse një ish-liceiste ekselente dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, nuk mundi të ishte më shumë sesa edukatore kopshti. Vajza e madhe, Zana, megjithëse mbaroi me rezultate të larta shkollën Pedagogjike, punoi deri në rrëzimin e regjimit komunist, vetëm nëpër fshatra. Djemtë e tij, të lindur pas daljes nga burgu, Lirimi dhe Arbeni, pavarësisht aftësive intelektuale (Lirimi ishte një nxënës ekselent, siç thekson i vëllai), – nuk vazhduan dot studimet e larta, si bashkëmoshatarët e tyre, por u dërguan në repartet e punës, “ku kishte nevojë atdheu”. Ashtu si kishte shkuar gjatë gjithë jetës së tij, edhe Adem Beli.

Agronomi Adem Beli, e mbylli karrierën në sektorin e kultivimit të luleve bulbore, që kontrastonte për nga bukuria dhe ngjyrat me gjendjen e tij. Jeta e Ademit, ishte krejt e kundërta e një fushe me lule. Kishte mes tyre, megjithatë, një lule që përputhej me shpirtin e agronomit: Gladiola, që në shumicën e kulturave, simbolizon forcën e karakterit, ndershmërinë, integritetin dhe të mos dorëzuarit kurrë. Më 1996-ën, dy vite para se të ndërronte

Burimi: botasot.info

Related posts

Vuçiq: Përderisa unë jam president i Serbisë, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Gazetamax.mk

Abdixhiku publikon pamje të reja nga tubimi në Zvicër: Turneu i Ndryshimit do ishte i mangët pa mërgatën

Gazetamax.mk

Miftaraj: Procesi gjyqësor në Hagë po afrohet në fund

Gazetamax.mk