GazetaMax
Lajme

Irani u përgatit për të vendosur mina në ngushticën e Hormuzit

Ushtria iraniane ngarkoi mina detare në barka në Gjirin Persik muajin e kaluar, lëvizje që i shtoi shqetësimet në Uashington se Teherani po përgatitej për ta bllokuar Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve izraelite në disa pjesë të vendit, sipas dy zyrtarëve amerikanë.

Përgatitjet për të cilat nuk është raportuar më parë dhe të cilat u vërejtën nga inteligjenca amerikane ndodhën ca kohë para se Izraeli ta niste sulmin e parë me raketa kundër Iranit më 13 qershor, thanë zyrtarët, të cilët kërkuan të mbeteshin anonimë për të folur rreth çështjeve të ndjeshme të inteligjencës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ngarkimi i minave në barka – të cilat nuk janë dislokuar në Ngushticën e Hormuzit – lë të kuptohet se Teherani mund ta ketë pasur seriozisht mbylljen e njërës prej rrugëve më të ngarkuara detare në botë, veprim që do t’i kishte përshkallëzuar një konflikt që tashmë po përkeqësohej dhe tregtinë globale edhe ashtu të çalë.

Rreth një e pesta e dërgesave botërore të naftës dhe gazit kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe bllokimi i saj do të kishte shkaktuar rritje të madhe të çmimeve globale të energjisë.

Sidoqoftë, çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare kanë shënuar rënie për më shumë se 10 për qind që nga koha e sulmeve amerikane ndaj qendrave bërthamore të Iranit dhe kjo rënie u nxit pjesërisht nga lehtësimi që konflikti nuk shkaktoi pengesa domethënëse në tregtinë e naftës.

Më 22 qershor, pak pasi ShBA-ja bombardoi tri qendra bërthamore kyçe të Iranit në përpjekje për ta shkatërruar programin bërthamor të Teheranit, ishte raportuar se Kuvendi i Iranit kishte mbështetur një masë për ta bllokuar Ngushticën e Hormuzit.

Kjo masë nuk ishte e detyrueshme dhe i përkiste Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare që të merrte një vendim përfundimtar për këtë çështje, raportoi atë kohë televizioni iranian “Press TV”. Irani ndër vite ka kërcënuar se do ta mbyllë këtë rrugë të rëndësishme detare, por kurrë nuk e ka përmbushur këtë kërcënim.

Agjencia “Reuters” nuk arriti që të përcaktonte saktësisht se kur gjatë luftës ajrore mes Izraelit e Iranit Teherani i ngarkoi minat, të cilat, nëse do të dislokoheshin, praktikisht do t’ua pamundësonin anijeve kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Është gjithashtu e paqartë nëse minat tashmë janë shkarkuar nga barkat apo jo.

Burimet nuk zbuluan se si e kishin marrë vesh Shtetet e Bashkuara se minat ishin ngarkuar në barkat iraniane, por të dhëna të tilla të inteligjencës zakonisht sigurohen përmes pamjeve satelitore, burimeve njerëzore klandestine ose përmes kombinimit të këtyre dy metodave.

Related posts

LSDM: Po fundosen gënjeshtrat e Mickovskit

Gazeta Max

Todorov në “Win-Win”: Ahmeti është ndër politikanët më me përvojë, nuk mund të luajë rolin e tij as LSDM e VMRO

Gazeta Max

Shpallet thirrje për rikonstruimin e 13 rrugëve në shtatë komuna

Gazeta Max