GazetaMax
Lajme

Izet Mexhiti viziton Serovën: Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për qytetarët

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pasditen e djeshme zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor me banorët e Serovës, në konakun e njohur të agës Galiq – një ambient simbolik për mikpritjen dhe frymën komunitare që e karakterizon këtë lagje.

Në një atmosferë plot ngrohtësi, me çaj të ngrohtë dhe biseda të hapura, Mexhiti u takua me banorët për të dëgjuar nga afër problemet, kërkesat dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen e lagjes. Ai theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe i siguroi se dëgjimi i zërit të tyre do të jetë baza e qeverisjes së tij.

“I dëgjova me kujdes dhe me respekt, sepse kështu e kuptoj unë shërbimin publik: t’i dëgjosh njerëzit, t’i respektosh dhe t’u qëndrosh pranë. Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur, për çdo fjalë që duhet dëgjuar, për çdo dorë që kërkon mbështetje”, u shpreh Mexhiti.

Ai premtoi se Serova do të ketë vëmendje të veçantë në projektet e zhvillimit urban dhe infrastrukturor, duke e cilësuar këtë lagje si pjesë e rëndësishme e mozaikut të Çairit. Me përkushtim të plotë, Mexhiti nënvizoi se transformimi i çdo lagjeje nuk do të jetë vetëm premtim elektoral, por një zotim që do të realizohet me punë dhe transparencë.

Takimi në Serovë ishte një tjetër dëshmi e afrimit të kandidatit me qytetarët, duke vazhduar një fushatë që ka si bosht të saj bashkëpunimin dhe komunikimin e ndershëm me njerëzit.

“Jemi këtu për ta bërë Çairin më të mirë. Hap pas hapi. Së bashku”, përfundoi ai mesazhin e tij, duke treguar se angazhimi për ndryshim real është i pandalshëm.

Related posts

24 vjet pas Ohrit – Analiza të humbura dhe miliona të harxhuara

Gazeta Max

Ekspertët nga Mjekësia ligjore dhe fusha e psikiatrisë dëshmuan për vrasjen e Denis Tot

Gazeta Max

Petkovska: Kthimi i reklamave qeveritare nuk mund të zgjidhë gjendjen katastrofale tek mediat

Gazeta Max