Nëna e tre fëmijëve të mitur, të cilët u morën në kujdes nga Shërbimi Social në Durrës pas dyshimeve për braktisje, ka reaguar publikisht duke mohuar akuzat dhe duke dhënë versionin e saj të ngjarjes.
33-vjeçarja Blerina B. është shprehur se situata nuk ka qenë braktisje, por pasojë e vështirësive të rënda ekonomike dhe kushteve në të cilat jeton. Ajo është shprehur se është e divorcuar prej pesë vitesh dhe punon si banakiere, ndërsa përpiqet e vetme të mbajë tre fëmijët e saj, të moshës 5, 10 dhe 12-vjeç.
Sipas saj, për shkak të punës dhe mungesës së mundësive financiare, i ka lënë fëmijët së bashku në banesë gjatë orarit të punës, por ka theksuar se nuk i ka braktisur asnjëherë.
“Paguhem 400 mijë lekë në muaj dhe 300 mijë shkojnë për qiranë. Nuk kam mundësi të jem me ta gjithë kohën, por kurrë nuk i kam lënë pas dore,” është shprehur ajo.
Në reagimin e saj, Blerina B. ka akuzuar ish-vjehrrën se i ka hyrë pa leje në banesë dhe se ka ndikuar në denoncimin ndaj saj, duke e quajtur situatën një “kurth” që e ka futur në një problem serioz ligjor.
Ajo ka shtuar gjithashtu se njëri prej fëmijëve ka vuajtur nga epilepsia dhe ka kaluar një periudhë të gjatë trajtimesh mjekësore, ndërsa ka sqaruar se babai i fëmijëve, sipas saj, ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe kontribuon minimalisht për ushqimin e tyre.
“Nuk do t’i lë fëmijët në jetimore. Jam nënë dhe do t’i mbroj,” ka deklaruar ajo, ndërsa pritet që çështja të shqyrtohet nga organet kompetente për të përcaktuar përgjegjësitë dhe masat e mëtejshme.
Autoritetet kanë bërë me dije se rasti mbetet në ndjekje dhe do të trajtohet sipas procedurave ligjore.

