GazetaMax
Lajme

Jankullovski: Mjetet nga Hungaria i presin komunat për projektet zhvillimore, ndërsa ekonomia duhet të jetë bartëse e aktivitetit të përshpejtuar ekonomik

Pas miratimit të Ligjit të Huasë nga Banka Hungareze Eksport-Import, në fillim të muajit tetor do të vijojë nënshkrimi i Marrëveshjes së Huasë, me ç’rast pritet që mjetet t’i paguhen vendit në një transhe. Komunat tashmë janë në pritje të këtyre mjeteve për projekte zhvillimore, ndërkohë ekonomia do të jetë shtytësi kryesor i aktivitetit të përshpejtuar ekonomik.

Kështu deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, në TV 24, ku theksoi se përveç realizimit të kësaj marrëveshjeje bilaterale, me të cilën avancohet bashkëpunimi ekonomik me Hungarinë, vendi ynë vazhdon të bashkëpunojë me kreditorët e tjerë ndërkombëtarë.

“Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe me Bankën Botërore, me të cilën kemi pasur komunikim lidhur me projektet aktuale që janë në ngecje, si dhe në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm financiar. Bashkëpunimi me kreditorët e tjerë ndërkombëtarë nuk do të ndalet me këtë hua nga Hungaria”, theksoi zëvendësministri.

Ai shtoi se prioritet është që mjetet të arrijnë sa më shpejt dhe të sigurohet përkrahje për komunat dhe ekonominë.

“Komunat tashmë kanë parashtruar projekte. Është e rëndësishme që këto mjete që do të investohen në komuna të krijojnë vlerë të shtuar dhe t’i përmirësojnë kushtet e jetesës.

Interesi nga ana e komunave është i madh, respektivisht të gjithë kanë dorëzuar projekte, gjithsej 357, të cilat janë vlerësuar dhe presim që ato do kontribuojnë në realizimin e investimeve kapitale deri në fund të vitit”, theksoi Jankullovski.

Në lidhje me mjetet që do të destinohen për ekonominë, ai theksoi se ato do të destinohen për kompanitë vendore, para së gjithash për ato prodhuese, me qëllim që këto investime ta nxisin rritjen e PBB-së, ku si rrjedhojë të ulet deficiti buxhetor dhe borxhi publik.

Jankullovski shtoi se ka ende disa detaje për t’u përcaktuar lidhur me kriteret.

“Mjetet do t’u ndahen kompanive me normën e njëjtë të interesit me të cilën është siguruar kredia nga Banka Hungareze, respektivisht prej 3.25%. Qëllimi është që sa më shumë kompani t’i shfrytëzojnë këto mjete, fakt ky që do të rezultojë edhe me hapjen e vendeve të reja të punës”, nënvizoi zëvendësministri i Financave.

Related posts

Kovaçevski: Në ndryshimet kushtetuese të marrin pjesë të gjitha partitë politike

Gazetamax.mk

Të mendosh drejt synimeve fisnike

Gazetamax.mk

Osmani në Moldavi paketoi ushqime për refugjatët nga Ukraina

Gazetamax.mk