​Japonezi Kozo Tashima zbulon arsyen që e shtyri të dal kundërkandidat i Infantinos

Kozo Tashima ka zbuluar se vendimi i FIFA-s për t’ia anuluar pezullimin njëndeshor sulmuesit amerikan Folarin Balogun ishte arsyeja kryesore që e shtyu të kandidonte për president të FIFA-s, në garën ku do të përballet me Gianni Infantinon.

Zyrtari japonez i futbollit tha të premten se mënyra se si FIFA e trajtoi rastin e Balogunit e indinjoi atë, duke e bindur se organizata ka nevojë për ndryshime në qeverisje.

FIFA e pezulloi automatikisht me një ndeshje Balogunin pas kartonit të kuq në korrik, por më pas vendosi ta anulonte dënimin, duke i mundësuar sulmuesit amerikan të luante kundër Belgjikës. Ky vendim erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se i kishte kërkuar personalisht Infantinos rishqyrtimin e sanksionit.

Rasti shkaktoi reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje për pavarësinë e vendimmarrjes në FIFA.

“Kam punuar në futboll, veçanërisht si lojtar dhe trajner. Si i tillë, nuk mund ta pranoj në asnjë mënyrë kartonin e kuq të Balogun. Për më tepër, nuk është dhënë asnjë shpjegim as tani. U ndjeva shumë i indinjuar për këtë dhe kjo është arsyeja pse vendosa të qëndroj këtu”, deklaroi Tashima.

68-vjeçari, ish-futbollist dhe trajner i të rinjve, i cili ka qenë pjesë e Këshillit të FIFA-s që nga viti 2015, synon të bëhet kandidati i parë japonez që merr drejtimin e organizatës më të madhe të futbollit në botë.

Ai kërkon të rikthejë besimin në FIFA, duke kujtuar se edhe Infantino mori drejtimin e organizatës në vitin 2016, pas skandalit të korrupsionit që kishte tronditur institucionin.

“Dhjetë vjet më parë ndodhi diçka e ngjashme dhe z. Infantino u bë president për të reformuar dhe përmirësuar gjërat”, tha Tashima.

Zgjedhjet për president të FIFA-s do të mbahen në mars të vitit 2027. Për herë të parë që nga marrja e mandatit në vitin 2016, Infantino do të përballet me kandidatë kundërshtarë, pasi në zgjedhjet e vitit 2019 dhe 2023 ishte rizgjedhur pa garë.

Krahas Tashimës, kandidaturën e ka shpallur edhe presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, i cili ka mbështetjen e UEFA-s.

Tashima pranoi se nuk ka marrë mbështetje nga asnjë konfederatë kontinentale dhe se e konsideron veten në disavantazh në këtë garë. Megjithatë, ai është i hapur për bashkëpunim me Diallon, në mënyrë që votat kundër Infantinos të mos ndahen mes kandidatëve.

Në rast të zgjedhjes, japonezi premton një stil më modest të udhëheqjes, duke theksuar se vëmendja duhet të jetë te futbollistët dhe jo te presidenti i FIFA-s.

Burimi: botasot.info