GazetaMax
Lajme

Javën e ardhshme Borrell do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga 13 deri më 16 mars, bëri të ditur Brukseli.

“Vizita do të riafirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe për ndikimin e kësaj lufte në sigurinë e Evropës si tërësi”, u tha në njoftimin e BE-së lidhur me turneun e tij në Ballkanin Perëndimor.

Më 14 mars, Borrell do të qëndrojë në Shkup, ku do të takohet me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe me zyrtarë të tjerë.

Borrell po ashtu pritet të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga shoqëria civile dhe organizatat e të rinjve, në kuadër të një Konference për të Ardhmen e Evropës.

Më 15 mars, Borrell do të qëndrojë në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama, dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, shefi i diplomacisë së BE-së do të vizitojë punimet në restaurimin e një mozaiku të Muzeut Kombëtar të Historisë, që është financuar nga BE-ja pas tërmetit në Shqipëri.

Ndërkaq, më 16 mars Borrell do të qëndrojë në Sarajevë, duke takuar trupat e EUFOR-it dhe më pas do të takohet me përfaqësuesit shtetërorë, të opozitës dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile.

Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë vendosur sanksionet që BE-ja ka prezantuar ndaj Rusisë. Serbia, që është shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse./rel

Related posts

Ulen çmimet e derivateve

Gazetamax.mk

Arsovski: BDI deri tani ka qenë imune ndaj fraksioneve brenda partiake

Gazetamax.mk

15 Shoqata kërkojnë nga Qeveria që çdo fëmijë të mësojë edukimin seksual gjithëpërfshirës

Gazetamax.mk