Jep dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.

Lajmin e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka treguar se kryeministri Albin Kurti sot e ka pranuar dorëheqjen e Hoxhës.

Sipas njoftimit, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është caktuar Fehmi Hoti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot pranoi nga z. Gazmend Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti. Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, është thënë në njoftim.

Ndonëse në njoftim nuk është përmendur, dorëheqje e Hoxhës ka ndodhur për shkak të vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati i saj në Pejë.

Në këtë rast, policia e Kosovës dhe institucionet tjera kishin neglizhuar paralajmërimet e viktimës se ajo mund të vritej.

Në vazhdën e masave ndaj institucionet që kanë neglizhuar rastin, dje Këshillit Prokuroria i Kosovës ka suspenduar kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe Prokurores së rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila ka qenë edhe koordinatore për rastet e dhunës në familje.

Kurse, Inspektorati i Policisë së Kosovës dje ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

“Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i PK-së ka suspenduar: U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë, Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë, Komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë, U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë, Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.”, është thënë në rastin komunikatën e Policisë së Kosovës.