Kur në fillim të vitit 2025 një ish-anëtar i Al Kaedës u bë president i Sirisë, bota u frikësua nga një luftë e re. Por Ahmed el-Shara gradualisht po e ndryshon vendin, me bashkëshorten Latifa pranë tij, dhe zonja e parë e Sirisë është gjithashtu e përfshirë në aktivitete shtetërore. Kush është gruaja që i jep forcë presidentit sirian?
Ahmed el-Shara, ish-anëtar i njërës prej organizatave më famëkeqe të Lindjes së Mesme, është presidenti i ri i Sirisë – dhe ndërsa bota është e habitur nga ky zgjedhje, ai është i lumtur që hyn në qarqet e larta botërore, duke futur ngadalë edhe institucionin e “zonjës së parë” në paraqitjet e tij publike. Bashkëshortja e tij, Latifa, po shfaqet gjithnjë e më shpesh pranë tij.
Ahmed el-Shara për vite ishte pjesë e Al Kaedës, ndërsa sot shtrëngon duart me udhëheqës shtetesh i veshur me kostum.
Javën e kaluar ai ishte madje edhe mes folësve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bashkë me presidentët e Argjentinës, Ukrainës dhe Iranit.
El-Shara është president i Sirisë që nga janari i vitit 2025, pas rrëzimit të regjimit të presidentit shumëvjeçar Bashar al-Asad.
Që prej atëherë, ai udhëton nëpër botë dhe pret me kënaqësi udhëheqës të huaj që vizitojnë Sirinë.
Së fundmi, pranë tij ka filluar të paraqitet edhe zonja e parë e Sirisë, bashkëshortja e tij Latifa el-Drubi.
Në fillim të shtatorit, mediat e Lindjes së Mesme raportuan se ajo mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të Fakultetit të Arteve dhe Shkencave Humane të Universitetit të Idlibit, pasi në ndërkohë kishte kryer studimet pasuniversitare. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, i cili ia dorëzoi diplomën mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Në fjalimin e saj, Latifa el-Drubi theksoi se nuk ishte aty si zonja e parë, por si “një studente siriane që mbajti një ëndërr në zemër dhe e ndoqi pavarësisht sfidave me të cilat ishte përballur ndër vite”.
Por, kjo nuk ishte hera e parë që Latifa u shfaq publikisht si zonja e parë e Sirisë. Në shkurt ajo vizitoi Mekën me bashkëshortin e saj, e shoqëruar nga masa të rrepta sigurie. Aty u publikua për herë të parë edhe një fotografi e saj pranë Emine Erdoğanit, zonjës së parë të Turqisë.
Përkrahja e saj për bashkëshortin është e madhe, por njëkohësisht ajo po fiton simpatinë e opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar.
Në qershor 2025, Latifa mori pjesë në një takim të bashkëshortit të saj me disa gra me rastin e Bajramit, ndërsa në fillim të shtatorit dhuroi 5.000 dollarë për Fondin Sirian për Zhvillim, që përdoret për sanimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës. Shpejt pas kësaj, ajo ishte e pranishme edhe në takimin e bashkëshortit të saj me admiralin amerikan Brad Cooper. Latifa zhvilloi bisedime me bashkëshorten e tij, Susan, për “çështjet humanitare dhe rolin e grave në nxitjen e mirëkuptimit”.
Kush është Latifa el-Drubi?
Bashkëshortja e Ahmed el-Sharas ka lindur në vitin 1984 dhe ka diplomuar në gjuhë dhe letërsi arabe në Universitetin e Idlibit. Mediat turke pretendojnë se gjyshi i saj ka qenë Aladin el-Drubi, kryeministër i Sirisë që u vra në një atentat në vitin 1920 dhe mjek personal i sulltanit osman Abdul Hamid II.
Ajo e njohu el-Sharan gjatë studimeve në Universitetin e Damaskut dhe u martuan në vitin 2012.
Sipas mediave arabe, zonja e parë e sotme e Sirisë ka qëndruar me bashkëshortin e saj gjatë gjithë luftës civile 14-vjeçare në Siri, duke jetuar në kushte shumë të vështira.
“Gruaja ime jetoi me mua në shpella për 14 vite. U shpërngulëm 49 herë, ndërronim shtëpi çdo tre muaj, dhe kjo është shumë e vështirë për një grua”, tha presidenti i ri i Sirisë, i pyetur për Latifën.
Në atë periudhë, el-Shara ishte pjesë e organizatës terroriste Al Kaeda, më pas e degëve të saj siriane al-Nusra dhe Jabhat Fateh al-Sham, si dhe e grupit xhihadist, salafist-vahabist Tahrir al-Sham. Ai pretendon se në atë kohë shpesh i kishte propozuar bashkëshortes të shkonte në një vend më të sigurt, por ajo gjithmonë refuzonte.
Ata kanë tre fëmijë, dhe mediat arabe së fundmi kanë raportuar se të tre janë djem.