Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kandidati për mandat të dytë nga koalicioni **VLEN**, Bilall Kasami, sot vizitoi dy ndërmarrjet e njohura tetovare – Renova dhe GreenProdukt, për t’u njohur nga afër me punën, investimet dhe njerëzit që qëndrojnë pas suksesit të tyre.
Renova, me një histori që nis në vitet ’90, është sot një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale dhe një ndër kompanitë më të rëndësishme në prodhimin e materialeve ndërtimore në vend. Me përvojë shumëvjeçare dhe standarde të larta, kjo kompani është simbol i qëndrueshmërisë dhe inovacionit në industrinë ndërtimore.
Ndërsa GreenProdukt përfaqëson një tjetër histori suksesi – një biznes modern në fushën e përpunimit të frutave dhe perimeve, që me produktet e tij të konservuara sjell cilësi dhe traditë në tryezat e qytetarëve gjatë gjithë vitit.
Kasami vlerësoi kontributin e këtyre bizneseve në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe krijimin e vendeve të punës, duke theksuar se komuna do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrjet vendore, përmes politikave që nxisin investimet dhe bashkëpunimin.
“Si kryetar i Tetovës, përkushtimi im është të mbështes rritjen e bizneseve lokale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe iniciativat që sjellin përfitime për familjet tona. Falënderoj pronarët dhe punonjësit për mikpritjen dhe angazhimin – bashkë do të ndërtojmë një Tetovë më të fortë dhe më të zhvilluar,” tha Kasami pas vizitës.
Vizita e kryetarit Kasami në këto kompani vjen si pjesë e angazhimit të tij për të forcuar partneritetin mes komunës dhe sektorit privat, si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të Tetovës.


