GazetaMax
Lajme

Katër zonja në krye të diplomacisë shqiptare, kush janë Spiropali, Shyti, Fino dhe Anagnosti Çepe

Znj. Elisa Spiropali është lindur në Tiranë, më 15 mars 1983.

Që prej shtatorit 2025, ajo mban postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ajo ka shërbyer si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në legjislaturën e tij të X-të.

Në këtë detyrë, ajo spikati për rijetëzimin dhe forcimin e diplomacisë parlamentare, duke përfaqësuar Kuvendin në iniciativat ndërkombëtare dhe duke nxitur bashkëpunimin me parlamentet partnere.

Nga Janari 2019 deri në Korrik 2024, Znj. Spiropali shërbeu si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, detyrë në të cilën u riemërua në Shtator 2021.

Ajo është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë për tre mandate rresht që prej vitit 2017, duke dalluar si politikane aktive me pozicione drejtuese në lidershipin partiak.

Përpara angazhimit të saj politik, Znj. Spiropali ka kontribuar në shoqërinë civile, veçanërisht në fushat e mirëqeverisjes dhe pjesëmarrjes qytetare, dhe gjithashtu punoi si lektore në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në vitin 1999, në moshën 16 vjeçare, ajo u largua nga Shqipëria me një bursë merite për të studiuar në Lester B. Pearson College, UWC, Canada.

Më pas u diplomua me vlerësime të larta në Politikë dhe Ekonomi nga Mount Holyoke College, SHBA.

Spiropali ndoqi studimet pasuniversitare në Politikë Bashkëkohore Evropiane (MA) në Universitetin e Sussex, Mbretëria e Bashkuar, si përfituese e bursës Chevening.

Znj. Spiropali është e martuar dhe ka dy fëmijë, Naltën dhe Krenin.

Znj. Miriam Shyti sjell një përvojë të pasur në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, menaxhimit kulturor si dhe komunikimit publik, në detyrën e saj si Zv. Ministre e Evropës dhe Punëve të Jashtme.

Me një formim në Shkenca Komunikimi dhe Marrëdhënie Publike Politike, ajo ka ndjekur programe prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Edukim Ekzekutiv mbi Menaxhimin e Inovacionit, në Harvard Business School, Cambridge Institute for Sustainability Leadership dhe specializim në Ekonominë e Tregut të Artit në Institutin Ndërkombëtar të Arteve Christie’s Education.

Znj. Shyti është gjithashtu pjesë e programit ndërkombëtar Global Leadership for Sustainable Development, nisur ne Ruandë dhe zhvilluar më tej në Stokholm.

Si koordinatore kombëtare e Inner Development Goals, ka sjellë për herë të parë këtë program ndërkombëtar në Tiranë, duke promovuar lidershipin transformativ që ndihmon përparimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm me fokus tek zhvillimi personal dhe i vlerave.

Ka mbajtur role kyçe në promovimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, përmes bashkëpunimeve me fondacione dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Si Këshilltare në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka kontribuar në hartimin e rekomandimeve mbi politikat kulturore dhe rritjen e financimeve për skenën artistike kombëtare; ka koordinuar Javët Kulturore Ndërkombëtare – program i diplomacisë kulturore organizuar në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike në vend; ka konceptuar programin Culturalb – Kultura Shqiptare Udhëton Botën; ka facilituar aktivizimin e fondacionit francez ArtExplora, etj. Gjithashtu, ka mbajtur rol kuratorial e koordinues gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë (2025).

Znj. Shyti është anëtare e Bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve/Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura dhe pjesë e Komitetit Drejtues të programit “Evropa Krijuese” 2025–2027.

Përvoja e saj ndërkombëtare është pasuruar përmes projekteve në Itali, ku ka jetuar e punuar disa vite, bashkëpunimeve e trajnimeve në nivel ndërkombëtar, si dhe një burse shkëmbimi profesional në Los Angeles – SHBA nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Në këto role ka krijuar ura të qëndrueshme mes diasporës shqiptare, industrive krijuese dhe institucioneve ndërkombëtare.

Megi Fino lindi në Janinë më 7 Prill 1993. Studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate (IB) Diploma i përfundoi në Pekin në vitin 2012.

Më pas studioi drejtësi në City, University of London në Britaninë e Madhe, prej të cilit zotëron edhe diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe në vijim diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC). Në vitin 2015, u diplomua në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London.

Znj. Fino u angazhua si këshilltare ligjore për çështjet e emigracionit në studio ndërkombëtare gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në qendra për shërbim juridik falas, me orientim asistencë sociale.

Prej vitit 2018, ajo punoi si avokate në studion ligjore CMS Adonnino Ascoli & Cavasola Scamoni në Tiranë, dhe më pas si eksperte rregullatore në departamentin ligjor dhe të marrëdhenieve me jashtë të kompanisë Vodafone Albania.

Në vitin 2021, znj. Fino hartoi Indeksin e Integritetit, pjesë e projektit STAR 3 për reformën e qeverisjes lokale, duke shërbyer si këshilltare integriteti e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht, si dhe njeh mire gjuhën kineze, italiane dhe greke.

Megi Fino shërben si Zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që nga qershori 2021.

Znj. Silda Anagnosti Çepe është Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gjithashtu, ajo është Këshilltare Bashkiake e Tiranës dhe Kryetare e Aleancës Kombëtare të Këshilltarëve Bashkiakë. Ka qenë pjesë e Kabinetit të Kryeministrit. Ajo vjen nga një eksperiencë mbi 20-vjeçare si juriste në fushën e sigurisë dhe të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë në draftimin e legjislacionit të ri, agjendën e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e projekteve në fushën e Drejtësisë.

Znj. Anagnosti ka një eksperiencë të plotë si në qeverisje ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si Drejtor i Kabinetit të Ministrisë së Brendshme dhe më parë Këshilltare Ligjore në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për 14 vite, ku ka qenë Këshilltare Ligjore për portofolin e të drejtave të njeriut dhe sigurinë. Znj Anagnosti ka shërbyer gjithashtu për 2 vite pranë Qendrës Vatra, për mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. Znj. Anagnosti mban titullin Master Shkencor në Administrim Publik nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës dhe diplomën Jurist nga Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, ka kryer studime pasuniversitare në Universitetin e Bolonjës (Itali) dhe Universitetin e Lundit (Suedi). Krahas tyre ka qenë pika e kontaktit për Shqipërinë për ODIHR, Komisionerin Anti-Diskriminim të OSBE duke realizuar raportimet në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjes së minoriteteve dhe grupeve vulnerabël dhe gjithashtu për legjislacionin në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe krimeve të urrejtjes. Ajo është trajnere e certifikuar nga ODIHR për të drejtat e njeriut si dhe për vëzhgimin e procesit zgjedhor, ku ka shërbyer dhe si vëzhguese e disa proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe jashtë saj. Përgjatë karrierës së saj ka marrë trajnime nga institucione prestigjioze në fushën e negociatave diplomatike, protokollit diplomatik, të drejtat e njeriut, menaxhimit të projekteve, anti-shpifjen dhe gjuhën e urrejtjes, luftën ndaj dhunës në familje, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Është anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, grupit të kontaktit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB, grupit këshillimor kombëtar për barazinë gjinore.

Znj. Anagnosti është autore e disa publikimeve në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sigurisë. Gjithashtu, ajo është autore e disa librave me poezi.

Related posts

Pikë e re kufitare, lidhja hekurudhore Shkup – Durrës dhe krijimi i “portit të thatë” në Strugë, Grubi propozoi tre konkluzione

Gazeta Max

Kontrolle aksionare në objektet hotelierike – të arrestuar për drogë dhe armë në Shkup dhe Kumanovë

Gazeta Max

Kompensimi për aftësinë e kufizuar, 2 nisma në Kushtetuese, MPS pret vendimin e tyre

Gazeta Max