GazetaMax
LAJME

Kemi nevojë për sinjale të qarta se zgjerimi i familjes evropiane deri në vitin 2030 është një mision i mundur

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka zhvilluar një takim me Ministren e Çështjeve Evropiane të Mbretërisë së Suedisë, Xhesika Rosvall, e cila ndodhet për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedimeve ishte dosja evropiane e vendit tonë dhe e rajonit të Ballkanit Perëndimor në dritën e presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

Në takim, Osmani përshëndeti përpjekjet e kryesisë aktuale suedeze të Këshillit të BE-së në trajtimin e çështjeve të ndjeshme në rrethanat e krijuara komplekse gjeopolitike, veçanërisht të shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës. Në këtë kontekst, ai theksoi mbështetjen ushtarake, politike dhe humanitare me të cilën Maqedonia e Veriut kontribuon në përpjekjet ndërkombëtare për t’u përballur me agresionin, duke iu bashkëngjitur të gjitha sanksione të BE-së kundër Rusisë në lidhje me zhvillimet në Ukrainë.

Osmani shkurtimisht informoi për procesin tonë të anëtarësimit, me theks në procesin e skriningut dhe aktiviteteve përgatitore në vend për përmbushjen e obligimeve të parapara para mbajtjes së Konferencës së dytë Ndërqeveritare me BE-në dhe hapjes së kllastereve. Gjithashtu riafirmohet përkushtimi i vendit tonë për të vazhduar dialogun me Bullgarinë bazuar në respektin dhe mirëkuptimin reciprok.

“Zgjerimi i Unionit me vende që plotësojnë kriteret e anëtarësimit është jetik si për vendet përkatëse ashtu edhe për vetë Unionin. Ne kemi nevojë për sinjale të qarta se zgjerimi i familjes evropiane deri në vitin 2030 është një mision i mundur”.

Në një bisedë konstruktive dhe miqësore, ministrat shkëmbyen mendime mbi perspektivën e politikës së zgjerimit të BE-së, me fokus idetë për integrim të përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një hap i besueshëm dhe real në drejtim të përmirësimit të zhvillimit demokratik, duke rritur mundësitë ekonomike për shtetet dhe qytetarët, si dhe duke ndihmuar procesin e pajtimit në rajonin tonë.

Në takim, ministri Osmani ritheksoi mbështetjen e parezervë të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Suedisë në NATO për kohë sa më të shpejtë.

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani e njoftoi Rosvellin me ngjarjet aktuale në lidhje me kryesimin e OSBE-së përmes prizmit të prioriteteve të përcaktuara, në të cilat siguria evropiane dhe Ukraina mbetet prioriteti ynë kryesor, si dhe çështjet kyçe të sigurisë brenda kornizës së OSBE-së 2023.

Related posts

Dhuratë e veçantë nga Rexhep Alltepe, ish-kryetar i Bursës dhe qytetar nderi i Komunës së Çairit

e-max

Shoqata ”Jehona e Malësisë”, dënon ashpër torturën brutale ndaj shtetasve shqiptar në Herceg Novi: Ky rast nuk duhet ngelur vetëm me deklarata të kota

e-max

Arsovska vazhdon me shkarkimin e drejtorëve që vet i emëroi, këtë herë ishte radha e NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”

e-max