Këngëtarja me origjinë nga Suhareka, Belinda Kuqi, e njohur në botën e muzikës si Bella, ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik në Zvicër, më 1 gusht.
Sipas informacioneve, Belinda po kthehej nga një mbrëmje muzikore. Dyshohet se, pas një dite me udhëtim të gjatë, ajo ka humbur kontrollin mbi timonin e automjetit dhe është përplasur me mbrojtëset anësore të autostradës Bern–Fribourg.
Pas aksidentit, në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e emergjencës, të cilat kanë realizuar ndërhyrjen dhe reanimimin e saj. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të ekipeve mjekësore, Belinda është stabilizuar dhe më pas është transportuar në spital.
Ajo ka treguar se kur është zgjuar, e ka parë veten të rrethuar nga mjekët dhe dritat e forta të dhomës së emergjencës. Pikërisht në ato momente ka kuptuar se ishte transportuar në spital pas aksidentit të rëndë.
Pjesa që Belinda kujton nga momentet para aksidentit lidhet me një automjet Mercedes të bardhë, i cili, sipas saj, i kishte bërë presion që t’i lironte rrugën.
Më vonë, ajo ka mësuar se një dëshmitar zviceran, i cili ishte ndër personat e parë që reaguan pas aksidentit, kishte njoftuar policinë dhe shërbimet e emergjencës. Ai kishte qëndruar pranë vendit të ngjarjes deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit.
Belinda u është shprehur mirënjohëse të gjithë atyre që reaguan dhe vepruan me përkushtim në momentet kritike, ndërsa falënderimin më të madh ia atribuon Zotit, të cilit ia dedikon faktin që sot është gjallë dhe në rikuperim.
Autoritetet zvicerane aktualisht janë duke hetuar rrethanat e aksidentit, ndërsa mbetet për t’u sqaruar edhe roli i automjetit Mercedes të bardhë që këngëtarja ka përmendur.
Belinda Kuqi, e njohur artistikisht si Bella, është një këngëtare me origjinë nga Suhareka, e cila prej vitesh jeton dhe vepron në Zvicër së bashku me familjen e saj. Falë repertorit të saj, ajo është mjaft e kërkuar, veçanërisht në diasporën shqiptare në Zvicër, ku ka zhvilluar një aktivitet të gjerë muzikor.
Aktualisht këngëtarja po rikuperohet dhe, sipas informacioneve, gjendja e saj po përmirësohet nga dita në ditë. Ajo pritet që pas rikuperimit t’i rikthehet muzikës dhe mbrëmjeve të shumta muzikore.
Gjatë kësaj periudhe, pranë saj kanë qenë familjarët, miqtë, dashamirësit dhe ndjekësit e saj, të cilët i kanë dërguar mesazhe të shumta inkurajuese dhe mbështetjeje.
Bella po e vazhdon betejën e saj për rikuperim, me shpresën që së shpejti të rikthehet në skenë dhe para publikut të saj.


