Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur këtë të hënë përgatitjet për ndeshjen ndaj Serbisë, e cila do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovac dhe është e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.
“Në stërvitjen e parë të drejtuar nga trajneri Silvinho ka qenë e pranishme pjesa më e madhe e lojtarëve të ftuar, ndërsa Jasir Asani, Thomas Strakosha, Arbër Hoxha, Ivan Balliu dhe Enea Mihaj do t’i bashkohen grupit gjatë mbrëmjes. Seanca e parë ka qenë më e lehtë, me ushtrime fizike dhe pak punë me topin, duke marrë parasysh se shumica e lojtarëve kanë luajtur në fundjavë me ekipet e tyre”, ka shkruar FSHF. “Mbrojtësi Ardian Ismajli dhe mesfushori Adrion Pajaziti nuk do të jenë të disponueshëm për këto dy ndeshje për shkak dëmtimesh. Të dy lojtarët kanë kryer kontrollet mjekësore në klubet respektive dhe, pas shqyrtimit të analizave nga stafi mjekësor i kombëtares, është vendosur që ata të mos rrezikohen”.
Pas ndeshjes me Serbinë, kuqezinjtë do të luajnë edhe një ndeshje miqësore më 14 tetor ndaj Jordanisë, në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.