Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke akuzuar Serbinë për shfrytëzimin e fesë për qëllime politike dhe nacionaliste.
Konjufca ka theksuar se Kosova është shtet shumetnik dhe sekular, ku harmonia fetare është një nga tiparet më të spikatura të shoqërisë.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, bashkëjetojnë në harmoni, duke përmendur edhe zgjedhjen e presidentes së Kosovës, e cila i përket besimit katolik.
“Është e dhimbshme që Serbia vazhdon me këtë qasje. Përmes kësaj platforme, ajo po zhvillon një fushatë partiake për qëllime politike, në prag të zgjedhjeve të 25 tetorit”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka akuzuar Serbinë për shfrytëzimin e Kishës Ortodokse për qëllime etnike dhe nacionaliste, duke pretenduar se përmes retorikës së saj nxiten tensione dhe dëmtohen marrëdhëniet ndëretnike.
Duke folur për luftën e fundit në Kosovë, Konjufca ka kujtuar viktimat civile shqiptare, përfshirë shqiptarët katolikë të vrarë nga forcat serbe, si dhe Masakrën e Mejës, ku u vranë 377 persona.
Sipas tij, pretendimet e Serbisë për mbrojtjen e krishterimit duhet të shihen në kontekstin e veprimeve dhe politikave të saj ndaj Kosovës.
Konjufca e ka cilësuar këtë qasje si pjesë të asaj që ai e përshkruan si luftë hibride kundër Kosovës, duke e akuzuar Serbinë për nxitjen e incidenteve me karakter fetar dhe për një histori të gjatë të diskriminimit etnik.
Në fund, ai ka theksuar se institucionet e Kosovës i trajtojnë rastet e krimeve të luftës, spiunazhit dhe hetimet përkatëse mbi bazën e procedurave ligjore dhe standardeve të të drejtave të njeriut, pa dallim të përkatësisë etnike të qytetarëve.
Ai ka pretenduar se Serbia, në anën tjetër, ka paraqitur akuza dhe prova pa zhvilluar hetime të mirëfillta.
Burimi: botasot.info
