Në paraqitjen e tij të parë para opinionit ministri i ri i shëndetësisë Azir Aliu për personat mbi 40 vjeç paralajmëroi kontrolle falas për diabet, presion të gjakut, sëmundje të zemrës dhe mëlçisë. Sipas tij, këto janë standarde europiane dhe me kontrollet e tilla do të ulen rreziqet për mbi 30%.
Aliu duke folur për prioritetet e tij në shëndetësi, foli edhe për dyshimet e opozitës se si profesionist nga sfera e IT do t’ia dalë në sektorin e shëndetësisë.
“Nuk jam mjek, por pozitën që kam për momentin ka të bëjë me menaxhimin, kështu që unë nuk do të kryej operacione të zemrës, por do të krijoj sisteme që do të jenë optimale, llogaridhënëse dhe në kohë. Do të krijoj sistem që mjeku apo kardiologu të mund të operojë zemër në kohë reale, me instrumente të mira, me llogaridhënie para qytetarëve e jo me listë të pritjes”, tha Azir Aliu.
Aliu theksoi se në takimin e parë në ministri me ekipin e tij, ka detektuar gjithsej 57 sfida, por siç shtoi, sa më shumë sfida aq më shumë energji për t’i zgjidhur ato. Një prej tyre është kushtet në spitalet sidomos ku trajtohen pacientët onkologjikë.
“Nuk kemi ulëse për t’u ulur. Një pacient me probleme shëndetësore të mos ketë ku të ulet, mendoj se është gjë themelore dhe të gjithë duhet të turpërohemi – edhe unë si ministër, se kemi infrastrukturë të tillë”, deklaroi Aliu.
Ai theksoi se do të punojë për t’ua lehtësuar gjendjen pacientëve që jetojnë jashtë Shkupit, sidomos pacientëve onkologjikë.
“Do t’i shpërndajmë shërbimet – shërbimet bazë dhe të cilat sipas ligjit mund të jenë të qasshme për qytetarët aty ku jetojnë”, deklaroi ai.