Kryetari i Komunës së Butelit dhe njëherësh kandidati i VMRO-DPMNE-së për mandatin e dytë, Darko Kostovski, ka publikuar një video deklaratë me mesazhin se gjatë katër viteve të fundit Buteli ka përjetuar një “revolucion sportiv”.
Në fjalimin e tij, Kostovski theksoi se komuna ka investuar ndjeshëm në sport dhe infrastrukturë sportive, duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë dhe sportistët lokal.
“Investuam në infrastrukturën sportive dhe dhamë mbështetje për sportistët dhe klubet tona si asnjëherë më parë. Për katër vite ndërtuam 5 qendra sportive-rekreative, 13 terrene sportive, 12 kënde lojërash për fëmijë dhe rinovuam sallat shkollore,” ka thënë Kostovski.
Sipas Kostovskit përveç investimeve infrastrukturore, komuna ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për klubet sportive dhe ka shpërndarë bursa për sportistët më të suksesshëm.
“Sporteve dhe sportistëve do t’u jap prioritet edhe në mandatin e ardhshëm,” shtoi ai, duke theksuar se Buteli do të vazhdojë të jetë shembull i zhvillimit të sportit lokal dhe të përfshirjes së të rinjve në aktivitete rekreative.