Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka uruar Letjanin – djalin e Komandant Telit – me rastin e diplomimit të tij Master, duke shprehur emocione dhe respekt të veçantë për figurën e të atit, një ndër emrat e njohur të luftës së vitit 2001 në Haraçinë.
Në urimin e tij publik, Beqiri theksoi:
“Urime Letjan, në ditën tënde të diplomimit Master!
Fjalët e tua: ‘Më mungonte njeriu më i dashur’ prekën zemrat e të gjithëve ne. Komandant Teli nuk është më mes nesh, por fryma e tij e guximit, e nderit dhe e dashurisë për Haraçinën jeton në çdo brez që vjen pas.
Sot, jo vetëm babai yt do të ishte krenar për ty – e gjithë Haraçina është krenare! Ti e vazhdon rrugën e tij me dinjitet e përkushtim, si dëshmi se trashëgimia e heronjve nuk shuhet kurrë.”
Beqiri po ashtu ka rikujtuar premtimin e dhënë në fushatë për nderimin e figurës së Komandant Telit:
“E kam thënë në fushatë dhe e them sërish me zemër: në qendër të Haraçinës do të ngrihet pllaka përkujtimore për Komandant Telin. Ky është premtim që do të mbahet për të nderuar një bir të madh të lirisë dhe për t’i kujtuar brezave se sakrifica nuk harrohet.
Ne nuk i harrojmë ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Ata jetojnë në veprat tona, në kujtimet tona, në zemrën e Haraçinës.”
Ky gjest, siç tha kryetari Beqiri, është shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Haraçinës.


