GazetaMax
Lajme

Kryebashkiaku meksikan qëllohet për vdekje në shesh para dhjetëra njerëzve, përfshirë familjarët e tij

Një kryetar bashkie në shtetin perëndimor të Meksikës, Michoacan, u qëllua për vdekje në një shesh para dhjetëra njerëzve – përfshirë familjes së tij – që ishin mbledhur për festimet e Ditës së të Vdekurve, thanë autoritetet.

Kryetari i bashkisë Uruapan, Carlos Alberto Manzo Rodríguez, u qëllua për vdekje të shtunën në mbrëmje në qendrën historike të qytetit.

Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku më vonë vdiq, sipas prokurorit të shtetit Carlos Torres Piña, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një anëtar i këshillit të qytetit dhe një truproje u plagosën gjithashtu në sulm.

Sulmuesi u vra në vendngjarje, u tha gazetarëve të dielën Sekretari i Sigurisë Federale, Omar García Harfuch.

Sulmi ndaj kryetarit të bashkisë u krye nga një burrë i paidentifikuar i cili e qëlloi shtatë herë, tha García Harfuch.

Arma ishte e lidhur me dy përleshje të armatosura midis grupeve rivale kriminale që vepronin në rajon, shtoi ai.

“Asnjë pistë hetimi nuk po përjashtohet për të sqaruar këtë akt frikacak që i mori jetën kryetarit të bashkisë”, ka thënë García Harfuch.

Michoacan është një nga shtetet më të dhunshme të Meksikës dhe është një fushë beteje midis karteleve dhe grupeve të ndryshme kriminale që luftojnë për kontrollin e territorit, rrugëve të shpërndarjes së drogës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Të dielën, qindra banorë të Uruapan, të veshur me të zeza dhe duke mbajtur fotografi të Manzo Rodríguez, dolën në rrugët e qytetit për të shoqëruar procesionin e varrimit dhe për t’i dhënë lamtumirën kryetarit të vrarë.

Ata brohoritën “Drejtësi! Drejtësi! Jashtë Morena!”, një referencë për partinë në pushtet të presidentes meksikane Claudia Sheinbaum.

Në muajt e fundit, kryetari i bashkisë së Uruapan i kishte bërë thirrje publikisht Sheinbaum në mediat sociale për ndihmë për t’u përballur me kartelet dhe grupet kriminale.

Ai kishte akuzuar guvernatorin pro-qeveritar të Michoacan, Alfredo Ramírez Bedolla, dhe policinë e shtetit për korrupsion.