Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, paralajmëroi se çdo veprim ushtarak i SHBA-së kundër vendit të tij do të çonte në “gjakderdhje” dhe pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Deklarata vjen pas një raporti të publikuar nga media amerikane Axios, ku thuhej se Havana po përgatit plane për të sulmuar bazën ushtarake amerikane në Gjirin e Guantanamos me më shumë se 300 dronë.
Në një reagim në rrjetin X, Díaz-Canel deklaroi se “Kuba nuk përbën kërcënim”.
Edhe ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodríguez Parrilla, tha se Kuba ka të drejtën e vetëmbrojtjes sipas ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së.
Sipas raportit të Axios, planet e dyshuara të Kubës përfshijnë edhe sulme ndaj anijeve ushtarake amerikane dhe zonës së Key West në Florida. Media amerikane pretendon se informacionet bazohen në dokumente sekrete të shërbimeve inteligjente.
Tensionet mes SHBA-së dhe Kubës janë rritur muajt e fundit. Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar Kubën si “kërcënim të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe ka paralajmëruar disa herë me masa të forta ndaj ishullit komunist.
