Qytetarët dhe bizneset duhet t’i planifikojnë me kohë pagesat, pasi gjatë 7 dhe 8 nëntorit do të ketë ndërprerje dhe kufizime në disa shërbime bankare.
Sipas Shoqatës së Bankave të Maqedonisë, kufizimet lidhen me përshtatjet teknike për zbatimin e standardeve të reja në sistemin e pagesave, që hyjnë në fuqi më 9 nëntor.
Stopanska Banka – Shkup do të pranojë krijimin e urdhërpagesave përmes e-banking deri sot në orën 14:00. Ndërkaq, kartelat, pagesat në POS-terminale dhe shërbimet e bankomateve do të funksionojnë normalisht.
NLB Banka nga sot në orën 10:00 do të kufizojë shërbimet e internet- dhe mobile-banking gjatë gjithë fundjavës. Deponimi i parave në bankomate nuk do të jetë i mundur, ndërsa tërheqjet dhe pagesat me kartela do të vazhdojnë normalisht.
Nga e hëna, 9 nëntor, fillon zbatimi i urdhërpagesave dhe kodeve të reja të pagesave, si dhe përdorimi i llogarive në formatin IBAN. Numrat ekzistues të llogarive nuk ndryshojnë.
Shoqata e Bankave u bën thirrje qytetarëve që t’i kryejnë me kohë pagesat dhe të përcjellin njoftimet e bankave të tyre.
Burimi: alfax.mk
