​Kurti dhe Haxhiu vizitojnë familjen e Rexhep Selimit, kërkojnë lirimin e krerëve të UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë vizituar familjen e Rexhep Selimit në Prishtinë, në 6-vjetorin e nisjes së tij për në Hagë.

Në vizitën e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes kanë marrë pjesë edhe sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ministra, deputetë dhe aktivistë të kësaj partie.

Ata janë pritur nga Shqipe Mehmeti-Selimi, deputete e Kuvendit të Kosovës, ish-luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëshorte e Rexhep Selimit.

Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje rikujtohet se më 5 nëntor, 6 vjet më parë, Rexhep Selimi kishte vendosur lule te varri i Astrit Deharit, në përvjetorin e vdekjes së tij, para se të nisej për në Hagë.

“Që prej atëherë, 5 nëntori na mbledh, na bashkon e na kujton sa shumë na mungojnë këta dy shokë”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin e saj kundër aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë të padrejtë.

“Aktgjykimi i 16 shtatorit është i padrejtë, dhe betejën për drejtësi do ta vazhdojmë deri në lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së, që Rexhepin ta kemi sa më parë sërish në vendin për të cilin luftoi e nuk u ndal asnjëherë së angazhuari”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Burimi: botasot.info