Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shpresën se ndryshimi i pushtetit në Serbi do të pasohet edhe me një qasje të re të Beogradit ndaj Kosovës, si shtet i pavarur, duke hapur kështu rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve fqinjësore.
Duke folur të shtunën në një mbledhje të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u ndal te zhvillimet e fundit politike në Serbi, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e javës së kaluar, që çuan në humbjen e pushtetit nga partia e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, por ende nuk e dimë saktë kush e ka fituar atë”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se pret që ndryshimet politike në Serbi të reflektohen edhe në raportet me Kosovën dhe në trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si komunitet i diskriminuar”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka rikujtuar Beogradit se ndryshimi i pushtetit nuk i liron institucionet serbe nga detyrimet që rrjedhin prej Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Megjithatë, deri më tani, pushteti i ri që pritet të formohet në Beograd nuk ka dhënë sinjale për ndonjë ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin ndaj Kosovës.
Ilija Srdanoviq, përfaqësuesi i parë i Listës Studentore që fitoi zgjedhjet në Serbi, ka premtuar vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, por ka theksuar se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.
Edhe programi i Listës Studentore e trajton çështjen e Kosovës në kuadër të Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke vënë theksin kryesisht te përmirësimi i pozitës së komunitetit serb në Kosovë.
Krasniqi: Kjo deklaratë mund të kuptohët si shprehje të një optimizmi të kujdesshëm
Profesori Kolë Krasniqi në një përgjigje për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se dihet kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk dihet kush e ka fituar atë.
Krasniqi vlerëson se kjo deklaratë shpreh një optimizëm të kujdesshëm, pasi humbja e shumicës parlamentare nga koalicioni i Vuçiqit tregon kërkesën e qytetarëve për ndryshim, por ende nuk dihet se kush do ta marrë drejtimin e vendit dhe me çfarë programi politik.
“Kjo deklaratë mund të kuptohët si shprehje të një optimizmi të kujdesshëm. Humbja e shumicës parlamentare nga koalicioni i Vuçiqit tregon qaertë se qytetarët kanë kërkuar ndryshim, por ende dihet se kush do ta ushtrojë pushtetin, me çfarë programi dhe me çfarë përgjegjësie politike.
Lista Studentore përfaqëson një bashkim kundër pushtetit të deritanishëm. Mirëpo kjo nuk nënkupton se brenda saj ekziston një qëndrim i unifikuar dhe realist për marrëdhëniet me Kosovën. Prandaj, deklarata e Kurtit mund të kuptohet edhe si shprehje e rezervës ndaj identitetit politik dhe orientimit të qeverisjes së ardhshme të Serbisë.
Këtu duhet bërë edhe një saktësim, humbja e Vuçiqit s në zgjedhjet parlamentare nuk do të thot edhe zhdukj e ndikimit të tij politik. Ndryshimi real i politikës serbe do të varet nga formimi i qeverisë së re, nga aftësia e saj për t’i ushtruar kompetencat në mënyrë të pavarur dhe nga vullneti për t’i zbatuar reformat e kërkuara nga qytetarët dhe për t’i përmbushur standardet evropiane”, tha ai.
Ai vlerëson se politika e re serbe mund të ndryshojë retorikën dhe mënyrën e komunikimit me Kosovën, por nuk ka ende shenja të mjaftueshme për një ndryshim të qëndrimit ndaj shtetësisë së saj.
“Po, mund të distancohet në mënyrën e komunikimit, në gatishmërinë për bashkëpunim dhe në raportin me qytetarët serbë të Kosovës. Megjithatë, nga qëndrimet e publikuara deri tani, nuk kemi bazë të mjaftueshme për të pritur një ndryshim të shpejtë të qëndrimit ndaj shtetësisë së Kosovës. Programi i Listës Studentore vazhdon t’i referohet Kushtetutës serbe dhe Rezolutës 1244, kundërshton pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe parashikon rishqyrtimin e marrëveshjeve të mëparshme. Këto qëndrime tregojnë per një kontinuitet te politikes serbe ndaj Kosovës e cila mund të krijojnë edhe tensione të reja ndershtetrore, e sidomos në procesin e dialogut.
Në këtë çështje duhet treguar kujdes i veçantë. Kundërshtimi i Vuçiqit nga opozita serbe nuk dëshmon vetvetiu gatishmëri për pajtim me Kosovën. Opozita e bashkuar serbe e ka kundërshtuar autoritarizmin dhe korrupsionin në administratën dhe aparatin shtetëror serb, mirëpo qëndrimet e saj ndaj Kosovës tregojnë se ky kundërshtim nuk është shoqëruar edhe me një shkëputje nga nacionalizmi dhe aspiratat e vjetra hegjemoniste. Prandaj, ekziston rreziku real që qeverisja e re serbe të vazhdojë një politikë po aq agresive ndaj fqinjëve sikur ajo e pushtetit të Vuçiqit.
Distancimi i besueshëm i politikës së re shtetërore serbe nga politika e deritanishme e Vuçiqit do të dëshmohej përmes veprimeve konkrete, si uljes së retorikës armiqësore ndaj Kosovës, bashkëpunimit me autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, bashkëpunimit për hetimin dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë, si dhe krijimit të kushteve që serbët e Kosovës të marrin pjesë lirshëm, pa presione dhe kërcënime, në jetën institucionale të vendit” – u shpreh ai.
Mes tjerash, Krasniqi vlerëson se BE-ja dhe SHBA-ja do të kenë rol kyç në orientimin e politikës së re serbe, përmes ndikimit diplomatik, ekonomik dhe të sigurisë.
Ai thekson se Perëndimi duhet të kërkojë zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, duke kushtëzuar mbështetjen për Serbinë me rezultate konkrete dhe respektimin e obligimeve ndaj Kosovës.
“BE-ja dhe SHBA-ja do të kenë rol shumë të rëndësishëm, por zgjedhja politike do t’i takojë udhëheqjes së re serbe. BE-ja ka instrumentet e integrimit, financimit dhe kushtëzimit, ndërsa SHBA-ja ka ndikim të rëndësishëm diplomatik dhe në fushën e sigurisë. Ndikimi i tyre do të jetë më i madh nëse veprojnë me objektiva të përbashkëta dhe kërkesa të qarta për të dyja palët.
Ekziston tashmë një kornizë e qartë, e mbështetur nga partnerët perëndimorë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Konkretisht, Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit e vitit 2023 parashikon, ndër të tjera, që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Prandaj, një program politik që paralajmëron kundërshtimin e këtyre anëtarësimeve bie ndesh me këtë përcaktim të marrëveshjes dhe me objektivat perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve.
Shpresojmë që partnerët perëndimorë, përmes ndërthurjes së asaj që zakonisht quhet politika e «karotës dhe shkopit» — ta mbështesin demokratizimin e Serbisë dhe, njëkohësisht, të kërkojnë rezultate konkrete e të matshme në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën” – deklaroi ai për “Bota sot”.
Mehmeti: Nuk pres shumë ndryshime, por mund të ketë, ndoshta jo të mëdha, por gjithsesi të rëndësishme
Kurse, analisti politik Faton Mehmeti e konsideron rënien e Vuçiqit lajm të mirë për rajonin, duke e cilësuar atë si vazhdues të politikës së Millosheviqit.
Megjithatë, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” shprehet skeptik për ndryshime të mëdha në raportet Kosovë-Serbi, duke theksuar se mbetet të shihet se çfarë qasjeje do të ketë udhëheqja e re ndaj dialogut në Bruksel.
“Rënia e Vuçiqit sigurisht që është një lajm i mirë për rajonin, pasi ai ka përfaqësuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, politikën e Millosheviqit, të cilën e ka vazhduar në një formë më të kamufluar, por me një strategji që tashmë dihet se çfarë synimesh ka pasur.
Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se kush do ta pasojë atë dhe kush do të jetë kreu i ri i Qeverisë së Serbisë. Mbetet të shihet se cili do të jetë raporti i udhëheqjes së re me dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel dhe cila do të jetë qasja e saj. Nuk pres shumë ndryshime, por mund të ketë, ndoshta jo të mëdha, por gjithsesi të rëndësishme”, tha ai.
Mehmeti vlerëson se rënia e Vuçiqit mund të dobësojë ndikimin e Beogradit mbi Listën Serbe dhe të ndikojë në stabilizimin politik të përfaqësimit të serbëve në Kosovë. Ai shton se ndryshimet e mundshme politike në Serbi dhe Shqipëri mund të hapin një kapitull të ri për rajonin dhe dialogun Kosovë-Serbi.
“Në veçanti, Lista Serbe në Kosovë mund të pësojë rënie të fuqisë politike që ka pasur deri më tani. Nëse kjo ndodh, atëherë mund të ketë edhe një shkëputje të saj nga Beogradi, çka do të ndikonte në një lloj stabilizimi politik të përfaqësimit të serbëve të Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore. Kjo do të ishte një sinjal i mirë.
Gjithsesi, mbetet për t’u parë. Por rënia e Vuçiqit mund të hapë një kapitull të ri për rajonin, aq më tepër nëse ndodh edhe ndryshimi i pushtetit në Tiranë. Kjo do të ishte një tjetër zhvillim i rëndësishëm, pasi largimi i Vuçiqit dhe Edi Ramës nga pushteti do të përbënte një sinjal të ri jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin në tërësi dhe për një qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo pasi, sipas vlerësimit tim, Edi Rama, me qasjen e tij, vetëm sa e ka penguar Kosovën dhe nuk e ka ndihmuar atë” – përmbylli ai për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info
