Vedat Muriqi ishte protagonist edhe një herë mbrëmë në fitoren e Mallorcas ndaj Deportivo Alavesit me rezultat 2:1.
Sulmuesi kosovar shënoi prapë në La Liga duke e ndihmuar ekipin e tij ta fitojë një ndeshje të rëndësishme në garën për të mbetur në ligë.
Kështu, 27 vjeçari arriti në kuotën e katër golave që nga arritja e tij në Mallorca në muajin janar nga Lazio, shkruan Express.
E paraqitjen e prizrenasit përmes rrjeteve sociale e ka përshëndetur edhe La Liga, e cila bëri një postim special për “Piratin e Kosovës”, me mbishkrim në gjuhën angleze dhe atë spanjolle, duke menduar se kjo është mënyra se si duket një golashënues.
Kjo nuk është hera e parë që La Liga e lavdëron Muriqin, ndërsa një kohë e kishte vendosur përfaqësuesin kosovar edhe në “coverin” e saj në Facebook.
Prizrenasi e gjeti golin e dytë të ekipit ishullor në fund të pjesës së parë, ndërsa paraprakisht për vendësit kishte shënuar Abdon.
Dhe, kjo fitore ia mundëson Mallorcas të largohet sadopak nga zona e rrezikshme për të rënë nga liga, shkruan “Gazeta Express”.
Përfaqësuesi kosovar e gjeti golin e katërt në La Liga këtë sezon, ndërsa zotohet se do të japë gjithçka nga vetja për ta ndihmuar Mallorcan t’i shmanget rënies nga liga.
“Pirati është këtu dhe do të luftojmë deri në fund”, ka shkruar 27 vjeçari në rrjetin social, “Instagram.
Muriqi është i huazuar në Mallorca për gjashtë muaj dhe klubi spanjoll ka vendosur të mos e blejë kartonin e tij, përkundër formës së mirë në të cilën po kalon në ndeshjet e fundit.
Siç dihet, kartonin e Muriqit e ka në pronësi Lazio, e cila do të mundohet ta shesë lojtarin gjatë verës që vjen.