Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani në intervistën e fundit të tij, mes tjerash theksoi se bulevardi “Vëllezërit Gjinovski” do të zgjerohet në 4 korsi.
“Kohëve të fundit kemi punuar intensivisht në procedurën e eksproprijimit dhe një nga procedurat që tashmë e kemi kryer është një objekt në bulevardin “Vëllezërit Gjinovski”, i cili i takon Bllokut urbanistik 2 dhe me të cilën u eksproprijua një objekt dhe do të mundësohet që ky segment prej Vitamin Aga deri te ura e gjykatës të realizohet si bulevard me 4 korsi”, u shpreh kryetari i Komunës, Valbon Limani.
Kreu i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani theksoi procedura e eksproprijimit ka përfunduar për t’u hapur rruga prej te stacioni i autobusëve në drejtim të lagjes “Pitarnicë”.
“Kemi përfunduar edhe një procedurë eksproprijimit i cili gjendet në Bllokun urbanistik 8, me të cilin do të mundësohet që të hapet rruga prej stacioni i autobusëve në drejtim të hekurudhës në lagjen “Pitarnicë”. Paralel me këto, kemi edhe afër dy-tre procedura të tjera eksproprijimi me të cilat do të mundësohet të hapim edhe tre rrugë të tjera”, u shpreh Limani.