GazetaMax
Lajme

Luftë në horizont: Tajlanda dhe Kamboxhia sulmojnë njëra-tjetrën, ka të vdekur

Tajlanda ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj caqeve në territorin e Kamboxhias, veprim që është konfirmuar nga ministritë përkatëse të të dyja shteteve. Para këtij sulmi, nga pala kamboxhiane ishte kryer bombardim në drejtim të Tajlandës, ku vdiqën të paktën nëntë civilë. Pas sulmit ajror, Tajlanda ka mbyllur të gjitha kalimet kufitare me Kamboxhian, raporton BBC.

Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias konfirmoi sulmet ajrore të Tajlandës, duke thënë se u përdorën aeroplanë luftarakë për të hedhur dy bomba mbi një rrugë në territorin kamboxhian. Ata akuzojnë Tajlandën se ka shkelur një marrëveshje dypalëshe duke hapur zjarr mbi ushtrinë kamboxhiane.

Të paktën një civil tajlandez ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur nga granatimet e Kamboxhias të enjten. Media lokale raporton gjithashtu për civilë që janë duke ikur nga zonat kufitare në përpjekje për të gjetur strehim.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për nisjen e konfliktit.

Ushtria tajlandeze njoftoi se ka vendosur një avion luftarak F-16 kundër ushtrisë kamboxhiane, pas disa javësh tensionesh për një mosmarrëveshje kufitare që u përshkallëzua në përleshje të armatosura. Nga gjashtë avionë F-16 që Tajlanda kishte përgatitur për ndërhyrje në kufirin e kontestuar, njëri prej tyre ka sulmuar një cak ushtarak kamboxhian dhe e ka shkatërruar.

Sipas ushtrisë tajlandeze, gjithçka nisi kur në mëngjesin e së enjtes u dëgjua një dron dhe më pas u panë gjashtë ushtarë kamboxhianë të armatosur duke iu afruar kufirit. Tajlandezët pohuan se tentuan t’i paralajmëronin, por nga ana kamboxhiane u hap zjarr.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias thotë se Tajlanda e filloi konfliktin e armatosur dhe se ushtria kamboxhiane ka vepruar “rreptësisht në vetëmbrojtje”.

Kryeministri kamboxhian, Hun Manet, deklaroi se Tajlanda ka sulmuar pozicionet ushtarake kamboxhiane në zonat Prasat Ta Moan Thom dhe Prasat Ta Krabey, në provincën Oddar Meanchey, dhe më pas e ka zgjeruar sulmin përgjatë kufirit mes provincës kamboxhiane Preah Vihear dhe asaj tajlandeze Ubon Ratchathani.

Të dyja vendet kanë një mosmarrëveshje të kahershme për sovranitetin mbi tempullin Preah Vihear, për të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kamboxhias në vitet 1962 dhe 2013, por Tajlanda nuk e njeh vendimin.

Related posts

FIZHT e mori rolin udhëheqës në projektin e ri evropian “Policy Answers”

Gazeta Max

Ratifikimi i Marrëveshjes me FRONTEX, një kapitull i rëndësishëm në aspektin e mbrojtjes së kufijve

Gazeta Max

Drejtorët që nuk i kanë paguar faturat e energjisë do të japin llogari në qeveri

Gazeta Max